Maqedoni
BDI dorëzon në Kuvend propozimligjin për veting
01.02.2020 16:42
Grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim ka dorëzuar në Kuvend propozim ligjin për veting..

Grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim ka dorëzuar në Kuvend propozim ligjin për veting, i cili propozohet për miratim në procedurë të përshpejtuar parlamentare. Siç njoftojnë nga BDI: “Ligji parasheh themelimin e agjencisë për kontroll të bartësve të funksioneve dhe kandidatëve për bartës të funksioneve ku parashihet zgjedhja e një trupi rregullator në Kuvend i cili do të bëjë vetingun e politikanëve, bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve”.
Sipas BDI-së ligji garanton transparencë dhe informacion të plotë për qytetarët mbi secilin kandidat për bartës të funksionit pra se ata të zgjidhen dhe ndalon propagandën, lajmet e rreme dhe shpifjet, prandaj ftojnë të gjithë deputetët dhe partitë politike të cilat angazhohen për figura të pakompromituara në politikë, gjykata dhe prokurori që ta mbështesin këtë propozim ligj.
Propozimligji për veting, reagime nga VMRO-DPMNE, ASH dhe Besa
Por VMRO-DPMNE-ja opozitare e sheh si qasje jo serioze dorëzimin e këtij propozim-ligji 10 ditë para shpërbërjes së Kuvendit.
"Ligji për Veting është një sistem krejtësisht i ri në Maqedoni. Gjithsesi konsideroj se është jo serioze që 10 ditë para shpërbërjes së Kuvendit të hapet debat për një propozim ligj të tillë. Nëse BDI-ja si partner koalicioni do të ishte serioze, këtë propozim ligj mund ta dorëzonte le të themi në fillim të mandatit të kësaj Qeverie”, tha Naum Stoilkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Partit opozitare shqiptare thonë se janë pro Vetingut, por e vlerësojnë qesharake që një propozim I tillë vjen nga BDI.
“Si subjekt politik do e përkrahim këtë propozim, por është qesharake që atë e bën BDI dhe Artan Grubi të cilët janë pjesë e përgjegjësive për dy dekada tek pjesa shqiptare”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndërsa nga Lëvizja Besa theksojnë se: “Me apo pa propozim ligjin e BDI-së, VETING-un e vërtetë pas 12 Prillit do ta bëjnë parti me të kaluar të pastër dhe pa hipoteka si është Lëvizja BESA. Ndërsa propozimi i BDI-së është i njëjtë sikur kriminelët e burgosur të menaxhojnë me burgjet e vendit dhe kjo nuk ka asnjë logjikë politike e morale”.
Nga LSDM, Alternativa dhe PDSH ende nuk janë prononcuar për propozimin, me arsyetimin se propozimi ende nuk u është ndarë deputetëve.
NERMINE MULAKI FEZULLAKU
