Maqedoni
Rekomandimet për pr/ligjin për Prokurori, Selmani: Pa rezultate, ligji është improvizues
01.02.2020 18:00
Propozim ligji për Prokurori edhe pas debatit publik ende pa epilog konkret....

Grupet e punës pritet të shqyrtojnë kërkesat e tyre. Ekspertë të fushës midis tjerash kërkuan zgjedhje publike të prokurorit në prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, politika të qëndrojë larg procedurave të zgjedhjes dhe punës së prokurorëve, balancim të të drejtave dhe përgjegjësive të prokurorëve. Profesori universitar Bashkim Selmani druan se do të merret parasysh mendimi i ekspertëve. Për TVM 2, Selmani thotë se sikurse mbi 60% e reformave të dritanishme, ashtu edhe ky ligj është i karakterit improvizues dhe jo në interes të qytetarëve. Sipas tij , reformat duhet të realizohen me ndihmën e BE-së.
“Nuk do të ketë ndonjë rezultat të mirëpritur për arsye se më tepër është I improvizuar se sa për të plotësuar kriteret e BE-së dhe jo për t’u përballur me gjendjen faktike dhe me krimin e organizuar që është jashtzakonisht shumë I lartë. Ju do të shihni Bullgarinë, ishte në gjendje jashtzakonisht të rëndë përsa i përket krimit dhe krimit të organizuar, mirpo resurset e BE-së dhe ndihmesa e tillë bënë që të dalë nga ajo gjendje, poashtu edhe Hungaria dhe shumë vende të tjera që aderuan së fundmi në BE. I njëjti trend dhe e njëjta procedurë do të ishte në interesin edhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”- tha Bashkim Selmani, profesor universitar.
Selmani: Palët negociuese kanë prioritet interesat e tyre
Opozita vazhdoi të këmbëngulë që në ligj mos të theksohet se çfarë do të ndodhë me lëndët e PSP-së. Selmani thotë se përpjekjet për të luajtur me fatin e këtyre lëndëve dëshmojnë se palët në rend të parë kanë inetersat e ngushta.
“Fërkimet që po ndodhin midis LSDM-së dhe VMRO – së vetëm janë një strategji e vjetër për të mbrojtur grupet e tyre të interesit se sa pë të plotësuar kriteret reale për aderimin në BE. Kapitulli 23 dhe 24 që drejtëpërsëdrejti po cënon tiparet e sistemit demokratik dhe shtetit dhe së drejtës dhe mos përballja me krimin e organizuar. Prandaj nuk kemi shumë shpresa se ky ligj do ti plotësojë ato standardet e mirëpritura nga ana e vetë qytetarëve poashtu dhe të Bashkimit Europian.”- tha Selmani.
Insistohet që ligji të miratohet nga kjo përbërje parlamentare. Ndërkohë ka mbetur edhe një javë e gjysmë nga shpërbërja e kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të 12 prillit. Kryeparlamentari Talat Xhaferi do të thërasë seancë vetëm pasi të ketë pajtim midis palëve negociuese, gjegjësisht të sugurohen 80 vota për miratimin e ligjit.
MARAL ISMAILI
