Botë
Abbas: Ndërpresim lidhjet me Izraelin dhe SHBA-të
01.02.2020 19:00
Lideri palestinez, Mahmud Abbas ka njoftuar se do të ndërpresë të gjitha lidhjet me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara...

Lideri palestinez, Mahmud Abbas ka njoftuar se do të ndërpresë të gjitha lidhjet me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të planit të paqes për Lindjen e Mesme, që u prezantua javën e kaluar nga Uashingtoni.
Abbas nga Kajro deklaroi se propozimi i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump është “shkelje e marrëveshjeve” të arritura nga Izraeli dhe palestinezët më 1993 në Oslo. Lideri palestinez tha se “nuk do të ketë raporte, përfshirë edhe ato të sigurisë” me SHBA-në dhe Izraelin.
“Unë kurrë nuk do ta pranoj këtë zgjidhje. Unë nuk do ta vendos në historinë time se kam shitur Jerusalemin”, tha ai.
Sipas propozimit të prezantuar nga SHBA-ja më 28 janar, Izraeli do të aneksonte të gjitha vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor – shumica prej të cilave shihen si ilegale nga komuniteti ndërkombëtar – si dhe Luginën e Jordanit. Palestinezët do të kishin një sovranitet të kufizuar në Gaza dhe në disa pjesë në Bregun perëndimor, si dhe në disa lagje që gjenden në kufijtë e Jerusalemit.
Sipas këtij propozimi, Izraeli do të kontrollonte të gjitha kufijtë tokësorë dhe hapësirën ajrore si dhe do të ketë përgjegjësi për sigurinë. Po ashtu, do të shfuqizohej e drejta e kthimit të palestinezëve të shpërngulur nga lufta e vitit 1948 në territoret e paraardhësve të tyre. Rikthimi në këto territore ka qenë kërkesa kryesore e palestinezëve. Me kërkesë të palestinezëve Ministrat e Jashtëm të vendeve arabe u takuan në Kajro për të diskutuar propozimin e SHBA-së.
