Maqedoni

USHT, prezantohet sistemi për kursim të karburanteve

02.10.2014 18:08

Dy ditë pas firmosjes së marrëveshjes për bashkëpunim, Universiteti Shtetërorë i Tetovës dhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor...

Dy ditë pas firmosjes së marrëveshjes për bashkëpunim, Universiteti Shtetërorë i Tetovës dhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot realizuan aktivitetin e parë të përbashkët, ku kanë prezantuar përpara studentëve dhe stafit akademik të USHT-së sistemin për kursimin e karburantit dhe pastrimit të gazrave ndotës të automjeteve “EKO 66”. 
 
Rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti  dhe Ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, vlerësuan lartë punën dhe mundin e zbuluesit turk me origjinë nga Shkupi, Talat Mollaogllu.
 
“Sot, në universitetin tonë do të demonstrohet kjo pjesë e inovacionit, që është inovacioni i parë që promovohet në pjesën e Ballkanit, ky inovacion është promovuar, është demonstruar në Republikën e Gjermanisë dhe për së dyti herë promovohet këtu në Universitetin Shtetërorë të Tetovës, që realizohet në fakt për herë të parë në Republikën e Maqedonisë. Dëshiroj që vëllait tonë, z. Talatit, që njëherit është me prejardhje nga Shkupi, i dëshirojmë shumë shëndet dhe në të ardhmen të bëhet pjesë e universitetit tonë edhe me projekte tjera, ta përkrah universitetin tonë”- deklaroi rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti.
 
“Ky është një zbulim që është promovuar në më shumë se njëzet vende të botës. Ky është një zbulim që bën kursimin mbi 300 për qind të shpenzimit të karburantit të të gjitha llojeve dhe njëkohësisht djegia e tij e brendshme na mundëson mbrojtjen, gjegjësisht lëshimin e më pak gazrave, të cilat janë të dëmshme për ambientin. Kam kënaqësi të veçantë që pas dy ditëve të nënshkrimit të marrëveshjes të bëjmë një promovim të këtillë sot këtu në Universitetin e Tetovës”- tha ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
 
Zbuluesi i Sistemit “EKO 66”, Talat Mollaogllu, tha se ky aparat i shpikur mundëson shumë përfitime ekonomike. 
 
“Ky aparat është një aparat elektromagnetik dhe është një risi që neve na mundëson ekonomikisht të kemi shumë përfitime tona deri në 30 për qind. Aparati, që është për lëng djegës, jep mundësi ta shpenzojmë harxhimin tonë. E rrit performancën e motorit, pasi që jep mundësi të shpenzohet, e zbrit në zero elementin helmues që e prodhon motori dhe jep mundësi që motori të punojë më lehtë dhe të mos ketë shumë zë”- deklaroi zbuluesi i Sistemit “EKO 66”, Talat Mollaogllu.
 
Njëherit, nga 1 janari i vitit 2015 Sistemi Ekologjik “EKO 66” do të jetë i obligueshëm të instalohet në veturat e vjetra, për të pakësuar ndotjen e ambientit.
 
MIFTAR EMINI