Kulturë
Në kërkim të një bote më të mirë” edhe në shqip
02.10.2014 18:15
Proceset globalizuese dhe përvoja diplomatike shumëvjeçare vijnë në fokus të librit të ish-diplomatit të Maqedonisë në Kombet e Bashkuara, Sergjan Kerim...

“Përveçse kam pasur si synim të pasqyroj botën në të cilën jetojmë, gjithashtu kam pasur si qëllim t’i tregoj perspektivat e një bote më të mirë. Doja nga prizma e një njeriut që ka marrë pjesë në punët e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, atë përvojë ta tregoj nëpërmjet këtij libri”- deklaroi ish-diplomati, Sergjan Keri.
Në librin “Në kërkim të një bote më të mirë”, ish-presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara thotë se jetojmë në një botë ku teknologjia e informimit dhe e komunikimit mbizotërojnë çdo ditë dhe si pasojë përcaktojnë mënyrën tonë të të menduarit, por edhe të të jetuarit.
Për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ish-diplomatin, Blerim Reka, libri i Sërgjan Kerim paraqet sfidë për marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi në këtë libër pasqyrohet përvoja dhe njohuritë praktike të tij.
“Është përmbledhje e mendimit të tij akademik, përvojës së sublimuar diplomatike, për problemet tona aktuale të botës që jetojmë, me fjalë të tjera është një kontribut më tepër në çështjen e trajtimit të globalizimit në marrëdhëniet ndërkombëtare, si i tillë unë konsideroj se është një kontribut i mirë, i cili mund të shfrytëzohet nga studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe nga studentët”- tha profesori universitarë, Blerim Reka.
Libri, fillimisht është shkruar në gjuhën angleze, më pas është përkthyer në maqedonisht dhe tani në duart e tyre lexuesit mund ta kenë edhe në gjuhën shqipe.
MEMEDALI JUSUFI
