Maqedoni

Rasti “Monstra”, Zaev: Të gjitha dëshmitë i kam dorëzuar në PSP

03.02.2020 16:37

Për dy orë e gjysmë, ish kryeministri dhe kreu aktual i LSDM-së, Zoran Zaev...

Për dy orë e gjysmë, ish kryeministri dhe kreu aktual i LSDM-së, Zoran Zaev, në cilësinë e dëshmitarit, ka dëshmuar për rastin “Monstra”. Zaev ka deklaruar se gjithë atë që ka poseduar nga “bombat” për këtë rast ia ka dorëzuar PSP-së, por se thekson që nga materialet që ka poseduar nuk ka pasur pasqyrë të plotë të të gjithë asaj se çfarë ka ndodhur me këtë ngjarje.
 
“Gjithë atë që e kam poseduar e kam dorëzuar, gjithë atë që e kam komentuar e kam biseduar edhe me prindërit dhe sot e kësaj dite qëndroj pas asaj që e kam folur. Për mua është shumë e rëndësishme që po rihapet hetimi për të zbuluar të gjithë të vërtetën në një mënyrë të pavarur, të vërtetuar para syve të opinionit. Nëse ka prova për faj, ato duhet të konfirmohen, nëse ka prova të pafajësisë gjithashtu duhet të konfirmohen, dhe në fund të ditës e gjithë e vërteta duhet të zbardhet.”,- tha dëshmitari në rastin “Monstra”, Zoran Zaev.
 
Avokatët: Zaevi nuk tha asgjë të re
 
Avokatët e familjarëve të viktimave theksuan se Zaev as në seancën e sotme nuk ka thënë asgjë të re nga deklarata e mëparshme lidhur me këtë rast.
 
“Ishit dëshmitarë të diçkaje që të gjithë deri më sot e kemi dëgjuar, mendoj asgjë nuk ishte e re apo diçka bombastike. Mendoj që z. Zaev është i aftë në politikë dhe mendoj që të gjitha përgjigjet i kishte politike, e jo konkrete, kështu që mendoj se nuk ka asgjë të re që do të kontribuonte për dëshmi të tjera apo zbardhje tjetër të rastit.”,- tha avokatja, Dafinka Ivanovska.
 
Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, gjykata fillimisht dënoi pesë persona, Sami Lutën, Haki Azirin, Agim Ismailloviqin dhe Fejzi Azirin, ndërsa Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 mori vendim që lënda të shkojë në rigjykim, ndërkaq të dënuarit të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit.
 
ZEKIRJA MEXHITI