Maqedoni
Pezull ndryshimet e Kodit Penal, deputetët nuk sigurojnë kuorumin në Komision
03.02.2020 17:13
Për shkak të mungesës së kuorumit, Komisioni për Sistem Politik nuk arriti të shqyrtojë propozim ndryshimet e Kodit Penal...

Për shkak të mungesës së kuorumit, Komisioni për Sistem Politik nuk arriti të shqyrtojë propozim ndryshimet e Kodit Penal me të cilin parashikohet zgjatja e periudhës e vjetërsimit të veprave penale që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Kryetari i këtij Komisioni, Aleksandar Kiracovski, tha se akoma ekzistojnë forca që paraqiten si frenues të çdo iniciative në aspekt të sigurimit efikas të drejtësisë.
“Nëse kjo zgjidhje ligjore nuk miratohet, ka mundësi që të vjetërsohen lëndët të një numri të madh të autorëve të veprave penale për keqpërdorim detyre zyrtare që kanë qenë nga ish garnitura apo nga garnitura aktuale qeverisëse. Që absurditeti të jetë edhe më i madh me shmangien e kësaj zgjidhje ligjore, lihet hapësirë se personat të cilët kanë shpëtuar nga përgjegjësia penale për shkak të vjetërsimit të lëndës, në fund të dalin edhe viktima, kuptohet në thonjëza dhe me kërkesë deri te Gjykata Supreme të arrijnë edhe të nxjerrin dëmshpërblim për shkak të mossigurimit të gjykimit në kohë të caktuar.”,- deklaroi kryetari i komisionit për sistem politik, Aleksandar Kiracovski.
Përveç deputetëve të VMRO-DPMNE-së, në Komision nuk morën pjesë edhe deputetët e BDI-së. Me ndryshimet e reja propozohet që periudha për vjetërsimin e lëndëve gjyqësore të zgjatet nga dyfish në trefish të periudhës së dënimit që parashihet me ligj.
Përveç kësaj, propozimi i Kiracovskit parasheh edhe dispozitë shtesë me të cilën në rastet kur ka vendim gjyqësor në shkallë të parë, atëherë periudha e vjetërsimit të lëndës të zgjatet edhe për dy vjet shtesë.
NAIM RAMADANI
