Maqedoni
ZZHE në Vizbeg pa kushte për punë, ekzekutivi premton t’i zgjidh problemet
04.02.2020 15:13
Vizbegu është një zonë mjaft me mundësi për zhvillim ekonomik, por i mungon infrastruktura komunale....

Afaristët e zonës së Vizbegut me vite të tëra janë ankuar për mungesë të kushteve elementare për punë. Ekzekutivi premtoi se do të punojë t’u krijojë kushte. E në prag të zgjedhjeve, në këtë zonë po punohet me ritme të përshpejtuara për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit. Kryeministri teknik dhe ministrat inspektuan punimet.
“Është shumë vështirë të mbijetoni në një zonë e cila siguron të hyra në buxhetin e shtetit, punëson njerëz, ndërsa nuk mundet të funksionojë në mënyrë adekuate. Prandaj, ishte ndër temat e para që kemi biseduar me Odat, me sektorin e biznesit, që të ndërtojmë partneritet dhe t’i zgjidhim problemet e afaristëve.”,- theksoi kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
“Bëhet fjalë për 5.2 kilometra kanalizim në vlerë prej diku 147 milion denarë. Në fazë përfundimtare është ndërtimi i ujësjellësit. Me përfundimin e këtij muaji duhet të përfundojë ndërtimi i 7.2 kilometrave të ujësjellësit.”,- theksoi ministri i transportit, Goran Sugarevski.
“Për momentin kemi dhjetëra parcela të cilat për shkurt kohë do të jenë të mbushura dhe në periudhën e ardhshme do të mundohemi të zgjerohemi në komuna tjera.”,- u shpreh kryetari i komunës së Butelit, Velimir Smilevski.
Ministri Sugarevski paralajmëroi se së shpejti në komunën e Butelit do të ndërtohen edhe 312 banesa sociale.
ERSAN PAJAZITI
