Maqedoni
Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit, RMV e treta në Europë nga vdekshmëria, Shoqata “Borka”: Diagnostikimi i hershëm, shpëton jetë
04.02.2020 16:00
Çdo vit rreth 8 milionë persona vdesin nga sëmundjet malinje....

Çdo vit rreth 8 milionë persona vdesin nga sëmundjet malinje. Por, derisa në botë statistikat shkojnë në drejtim pozitiv, nga Shoqata “Borka” alarmojnë se numri i të prekurve me sëmundjet malinje në vendin tonë po rritet. Maqedonia e Veriut zë vendin e tretë në Europë nga vdekshmëria prej kancerit. Tri deri në katër gra në ditë sëmuren nga kanceri i gjirit.
“Qëllimi ynë është të bashkojmë të gjitha forcat, nisur që nga qeveria, institucionet, organizatat joqeveritare, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin modern dhe në kohë të kancerit, të njerëzve që janë të sëmurë dhe që janë detektuar nga cilado sëmundje malinje.”,- tha kryetarja e Shoqatës “Borka”, Biba Dodeva.
Sëmundjet malinje, Filipçe: Nuk ka listë pritjeje, as pagesë participimi
Ministri Filipçe u shpreh se në vitet e fundit është bërë një hap domethënës përpara në trajtimin, diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve malinje.
“Në 2 vitet e kaluara, në vendin tonë nuk ka asnjë pacient që pret kurim për sëmundje malinje. Kemi 30 molekula të reja të terapisë më bashkëkohore, të gjitha këto barëra dhe terapi janë certifikuar nga prodhuesit origjinalë. E gjithë pagesa mbulohet nga shteti, pasi zbulimi i hershëm mund të nënkuptojë shërim të plotë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Asnjë pacient që ka sëmundje maline, jo vetëm për procesin e trajtimit, por edhe për kontrolle nuk paguajnë participim, përkujtoi ministri Filipçe në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
