Maqedoni
Rritja e pensioneve, Carovska: Rritet ekonomia, rriten edhe pensionet
04.02.2020 16:26
Në janar, pensionistët morën 722 denarë më shumë në pensionet e tyre....

Autoritetet thonë se kjo rritje është falë rritjes ekonomike dhe deri në fund të vitit pensionet do të rriten edhe me 900 denarë.
“Kemi treguar se ashtu siç kemi rritje të ekonomisë apo të pagës minimale, ashtu në këtë mënyrë kemi rritur dhe pensionet në vendit tonë. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi rritje të qëndrueshme të pensioneve.”,- theksoi zëvendëskryeministrja për çështje ekonomike, Mila Carovska.
Zendeli: Qeveria dëgjoi ekspertët e Fondit Pensional
Nga Fondi Pensional thonë se këshillat e ekspertëve të Fondit më në fund u dëgjuan nga ekzekutivi, e kjo dha rezultate.
“Pas një kohe më të gjatë, qeveria kishte vesh për të dëgjuar edhe ekspertët e Fondit Pensional të RMV-së që të fillojnë reformat. Pas tre viteve punë të lodhshme dhe gjithëpërfshirëse të Fondit, ajo ka filluar t’i japë frytet e saj dhe për atë kemi rritje të pensionit prej 722 denarëve. Kjo nuk është rritje lineare si ka qenë edhe më herët, por është rritje në bazë të pensionit dhe do të vazhdojë.”,- tha drejtori i Fondit Pensional, Shaip Zendeli.
Harmonizimi i pensioneve, Trajkovska: Presim të krijohen kushtet
Nga Shoqata e Pensionistëve presin të krijohen kushtet për harmonizimin e pensioneve, për momentin janë të kënaqur me rritjen.
“Unioni i Shoqatave të Pensionistëve ndjek Institutin për Harmonizimin e Pensioneve dhe Parametrave, saktësisht të indikatorëve prej të cilëve varet harmonizimi i pensioneve dhe kur të përmbushen kushtet, Shoqata jonë do të kërkojë realizimin e së drejtës ligjore.”,- tha kryetarja e Shoqatës së Pensionistëve, Stanka Trajkova.
Në këtë masë janë përfshirë rreth 300 mijë pensionistë. Për momentin pensioni mesatar në shtet kap vlerën prej 15. 500 denarëve.
REJHANE BUSHI METAJ
