Botë

Kurti zyrtarisht kryeministër, porosit ministrat: Harroni karriget e rehatinë

04.02.2020 17:04

Me një ceremoni solemne nga garda e FSK-së, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, e mori zyrtarisht detyrën....

Pranim dorëzimi u bë nga zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, pasi siç u njoftua, kryeministri i deritanishëm Haradinaj ndodhej për vizitë në SHBA. Pas pranimit zyrtar të postit, Kurti mbajti edhe mbledhjen e parë të ekzekutivit. Porosia e parë ishte për ministrat. Kurti u tha të mos akomodohen shumë në karriget e rehatshme e të mësohen se si ministra të qeverisë së shpresës, zyrën do ta kenë në terren, me njerëzit e rezorëve të cilët drejtojnë. 
 
“Më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve që na presin. Programi ynë është ambicioz aq sa janë pritjet e qytetarëve. Sytë e popullit tashmë janë tek ky kabinet qeverisës, rrjedhimisht tek secili prej jush. Do të ishte mirë që secili prej nesh të mësojmë përmendësh programin me LDK-në, sepse me të do të flemë në mbrëmje e do të zgjohemi në mëngjes.  Ministri i Bujqësisë do të kalojë më shumë kohë me fermerët e Ministri i Shëndetësisë me mjekët dhe pacientët e të mos jepni urdhra nga kolltuqet. Shanset për sukses i kemi të mëdha, por duhet të punojmë. Partitë i kemi në Parlament, e këtu punojmë si ekip.”,- deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Qeveria Kurti përbëhet nga 15 ministri, gjashtë nga të cilat drejtohen nga Vetëvendosje, gjashtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe tre ministri nga kuadrot e minoriteteve.
 
GYLTENE SINANI