Maqedoni

VMRO-DPMNE me propozim të ri për PP-në, Mickovski: Ligji për PP-në të vijë nga ekspertët. Pushteti fton opozitën në dialog, Spasovski: VMRO kërkon ndërprerjen e hetimeve

04.02.2020 17:24

VMRO DPMNE kërkon rikthimin e procesit për hartimin e ligjit për Prokurori Publike nga e para...

Propozon që tekstin e ligjit ta hartojnë profesorë universitarë, madje nominoi edhe emrat e gjashtë profesorëve.
 
Kërkon që në grupin e profesorëve universitar, që do të hartonin tekstin e ri të propozim ligjit, të përfshihet edhe profesoresha Gordana Siljanovska, ish kandidate për President republike e përkrahur nga VMRO DPMNE, por edhe profesoresha Tanja Karakamisheva, e njohur për qëndrimet identike me opozitën maqedonase. 
 
“Çdo zgjidhje ligjore duhet të jetë prodhim i një konsensusi, por duke dëgjuar edhe opinionin e ekspertëve. Prandaj, propozoj që Ligji për Prokurori Publike të vijë nga ekspertët dhe profesorët e Fakultetit Juridik, të cilët kanë relevancë dhe përvojë nga kjo materie dhe ishin pjesë e debatit publik. Profesionalizmin ta vëmë mbi interesat personal, ndërsa ligjin që do ta propozojnë ata, VMRO DPMNE do ta pranojë pa rezerva.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mockoski.
 
Mirëpo kryeministri i qeverisë kalimtare, Oliver Spasovski, ftoi opozitën në dialog që të arrihet kompromis për tekstin e projektligjit për të cilin është negociuar për një vit e gjysmë. Sipas tij, ky kompromis nuk mund të arrihet për një kërkesë të VMRO DPMNE-së.  
 
“Ajo që kërkon VMRO DPMNE, nëse dëshironi t’jua them në gjuhën popullore, është që të ndërpriten me vendim, të gjitha procedurat para-hetimore që kanë filluar. Kjo është çështje për të cilën nuk mund të negociohet dhe nuk mund të ketë kompromis. Kushdo që ka bërë krim dhe ndaj të cilit procedohet procedurë parahetimore dhe ka dëshmi, duhet të jep llogari para drejtësisë. Interesi për të kënaq drejtësinë është më i madh se interesi i çdo individi apo çdo partie politike.”,- u shpreh kryeministri, Oliver Spasovski.
 
Pr/ligji pritej që të dërgohet në qeveri gjatë ditës së martë, por Ministria e Drejtësisë njoftoi se ende pret që VMRO DPMNE të jap propozim amendamentet e saj, pas debatit publik në Kuvend.
 
Ndryshe, në grupin punues për hartimin e tekstit të ligjit për PP, që po negociohet mes palëve, kanë marrë pjesë akademiku Vllado Kambovski dhe profesori universitar Gordan Kallajxhiev, dy nga gjashtë profesorët që aktualisht i propozon VMRO DPMNE për hartimin e një teksti të ri. 
 
SHPËTIM NUREDINI