Maqedoni

Nesër publikohet metodologjia, KE: Nuk do të ndryshohen politikat e zgjerimit

04.02.2020 17:45

Një ditë para publikimit të metodologjisë europiane, Komisioni Europian bën me dije se dokumenti...

Një ditë para publikimit të metodologjisë europiane, Komisioni Europian bën me dije se dokumenti s’do ndryshojë rregullat e deritanishme për anëtarësim, përpos se do të përforcohet procesi negociues.
 
Parashikohet që në metodologjinë e re të caktohet tempoja e bisedimeve të vendit kandidat dhe i njëjti të varet nga zbatimi i reformave duke lënë mundësinë e rihapjes të kapitujve të mbyllur. Në raste ekstreme s’do përjashtohet mundësia që procesi negociues të pauzojë ose të suspendohet.
 
Kandidatët do të inkurajohen me ndihma financiare të shtuara dhe investime. Jozyrtarsiht mësohet se vendet kandidate në të ardhmen do të negociojnë 32 kapitujt e deritanishëm të sistemuara në gjashtë grupe varësisht tematikës.
 
“Atë që do ta propozojmë nesër është që procesi negociues të bëhet më kredibil, më parashikues dhe duam të jetë një proces më dinamik. Qëllimi ynë nuk është që të ridizajnojmë politikat e zgjerimit. Ne s’do propozojmë ndryshim të kushteve për anëtarësim në BE. Kushtet janë mjaft të qarta dhe s’do ndryshojnë.”,- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.
 
Sipas paralajmërimeve të para të eurokomisionerit për zgjerim Varhei, fokusi i metodologjisë së re do të duhet të jetë përforcimi i sundimit të së drejtës, funksionaliteti i institucioneve demokratike dhe zhvillimi ekonomik i vendeve që kanë nisur bisedimet.
 
Social demokratët europian nuk pajtohen me gjitha aspektet e propozim reformës për zgjerim, sidomos grupit të kapitujve në gjashtë blloqe të cilat do të mund të ngadalësonin dhe vështirësonin procesin.
 
Pritet që pas prezantimit vendet anëtare të BE-së deri më 24 mars ta miratojnë metodologjinë e re që të mund ti jepet dritë jeshile nisjes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë në samitin për punë të përgjithshme që do të më 26 dhe 27 mars.  
 
MERAL ISMAILI