Maqedoni

“Besa” i përgjigjet ASh-së: Të bisedojmë në tavolinë, jo nëpërmjet mediave. “Alternativa”: Angazhohemi për koalicion vetëm me ASh-në

04.02.2020 18:19

Lëvizja BESA i përgjigjet Aleancës për Shqiptarët, të cilën e ftojnë që ofertat t’i diskutojnë në tavolinë...

Lëvizja BESA i përgjigjet Aleancës për Shqiptarët, të cilën e ftojnë që ofertat t’i diskutojnë në tavolinë e jo nëpërmjet mediave.
 
Arianit Hoxha Nga Lëvizja Besa ka thënë se kjo parti ka shprehur gatishmëri për koalicion trepalësh, por ka më tepër se një muaj që nuk ka pasur takim me ASh-në.  
 
“Te ne nuk ka ardhur asnjë lloj oferte dhe të gjitha llojet e ofertave dhe modalitetet duhet të bisedohen në tavolinë dhe jo përmes publikut dhe mediave. Ne tregojmë gatishmërinë tonë që të ulemi të tre partitë dhe t’i diskutojmë të gjitha, por nëse dikush tenton që përmes lojërave dhe ofertave publike të manipulojë me opinionin, mendoj se qytetarët do të dinë saktësisht ta vlerësojnë atë. Ne mund të ketë më shumë se një muaj që nuk kemi pasur takim me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa në anën tjetër ka një ofertë publike që askush nuk e kupton dhe aq më tepër nuk e di se pse ultimatum prej 48 orëve, kujt i drejtohet.”,- tha Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.
 
Nga ana tjetër, partia e Afrim Gashit “Alternativa”, angazhohet për koalicion dypalësh vetëm me ASh-në.
 
“Për kërkesën e fundit më pak ndihemi ne përgjegjës për një vendim mbrëmë që ka mbajtur Aleanca dhe është e drejtë e tyre legjitime dhe politike. Ata vazhdojmë të mbajmë mbledhjet e tyre, ndërsa ne sonte kemi mbledhjen me Kryesinë dhe Kuvendin Qendror të Alternativës dhe do të flasim konform vijës së bashkëpunimit për koalicion për të cilën jemi në bisedime më shumë se një muaj. Në vijën e asaj ne vazhdimisht kemi pasur takime në kuadër të komisioneve, por edhe kryetarët e partive, dhe kemi ardhur në një konkluzion që një opsion fitues mund të vijë përmes një koalicioni në mes Alternativës dhe Aleancës.”,- deklaroi Skender Rexhepi nga “Alternativa”.                                                 
                                                       
Nga “Alternativa” nuk flasin rreth ndarjes së listës për deputetë, ndërsa nga Lëvizja BESA propozuan dy mundësi, ndarje mbi bazën e partneritetit të plotë mes tre partive, ose ndarje mbi bazë të anketave që do të realizohen nga Agjenci, për të cilat paraprakisht do ishin dakorduar tre partitë.
 
FITIM KRYEZIU