Kulturë

Qendrat kulturore Shqipëri - Maqedoni, Bushati: Shqiptarët nuk janë pakicë, po shtetformues

04.02.2020 19:54

Projektligji për hapjen e qendrave kulturore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut...

Projektligji për hapjen e qendrave kulturore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka hasur në kritika të forta në Shqipëri.
 
Ish-ministri i jashtëm, Ditmir Bushati, thotë se kjo marrëveshje gabimisht barazon statusin e pakicave kombëtare dhe përkujton se në Maqedoninë e Veriut shqiptarët janë shtetformues, ndryshe nga maqedonasit në Shqipëri që janë pakicë kombëtare.
 
Sipas Bushatit, është e domosdoshme që  marrëveshje të tilla të bëhen me Ukrainën apo Australinë, për të mos humbur kulturën e shqiptarëve atje, por jo edhe me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që i dhanë ministrin e parë të mbrojtjes qeverisë së Ismail Qemalit, jo me një shtet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, kryeparlamentari është shqiptar e në qeveri dhe parlament flitet shqip.
 
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ia kanë dalë me të gjitha mjetet e mundshme që të konsolidojnë pozitën e tyre shtet formuese në shoqëri. Nuk janë minoritet. Nuk mund të vendosim shenja barazimi... Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e kanë çarë rrugën e tyre me shumë sakrifica për përfaqësimin politik, për identitetin kombëtar, për përdorimin e gjuhës shqipe. Prandaj mendoj se një qendër kulturore apo një qendër informative nuk i jap vlerë të shtuar shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.”,- deklaroi ish ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
 
 Bushati përkujton se në RMV ekziston tashmë 20 vite Instituti për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, të paktën tre universitete shqip, televizione me program në gjuhën shqipe  e nuk ju duhet një bibliotekë sa ofrohet me këtë marrëveshje. 
 
Nuk mund nga Tirana të ofrohet marrëveshje që nuk i shërben në radhë të parë interesave të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut thotë Bushati.
 
“Rruga politike që kemi ndjekur, bashkëpunimi me partnerët strategjikë dhe mbi të gjitha, djersa që kanë derdhur ata vetë për të fituar këtë status, duhet të na bëjnë ne të gjithëve më të përgjegjshëm kur e trajtojmë këtë çështje…Të përfshijmë partitë politike shqiptare atje, akademinë e shkencave, të përfshijmë botën e intelektit shqiptar në Shkup, por jo vetëm, për të na dhënë mësimet e duhura që mund të mos jenë në radarin tonë, sepse po jetojmë kohë jo të lehta.”,- u shpreh ish ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
 
Bushati kërkon që të punohet së bashku  parlament, qeveri, ministri institucione përkatëse dhe të krijohet mundësia që  të paktën në procesin e zbatimit të shoqërohet  me instrumente. 
 
LULJETA NDOKA