Maqedoni

Marrëveshja kolektive, SAShK: Të mos diskriminohen arsimi dhe kultura

05.02.2020 14:00

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kërkon nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale fillimin...

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kërkon nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale fillimin e menjëhershëm të negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik, duke akuzuar ministrinë se tashmë me vite shmang diskutimet rreth kësaj çështje. Në letrën e nënshkruar nga kryetari, Jakim Nedellkov, dërguar ministres, Rashela Mizrahi, SASHK thotë se çështjet e përbashkëta në sektorin publik duhet të rregullohen ose rirregullohen me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive dhe të përfshihen të gjithë punonjësit e sektorit publik. 
 
“Nëse përfitimet e përgjithshme, si regresi i pushimit vjetor, K-15, ditët e lira të paguara, mëditjet e udhëtimeve të biznesit etj, rregullohen me Marrëveshjen kolektive të degëve, bëhet  diskriminim i madh ndaj të tjerëve, sepse fondet e buxhetit nuk shpenzohen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Në këtë rast shteti si punëdhënësi më i madh, për disa do të jetë “nënë” dhe për disa “njerkë”. Punonjësit e arsimit, shkencës dhe kulturës nuk duan dhe nuk do të lejojnë të ndjehen të diskriminuar”,- thonë nga SASHK.
 
Ata presin që kërkesa e tyre të përkrahet edhe nga punonjësit e shëndetësisë, mbrojtjes, policisë dhe shërbimeve të tjera shtetërore e institucioneve publike. Nëse kërkesa nuk merret parasysh, SASHK thotë se do të jetë i detyruar të përdorë të gjitha fondet e disponueshme të sindikatës, duke mos përjashtuar ato më radikale. Letra e SASHK-ut vjen një ditë pasi qeveria kaloi në seancë Marrëveshjen kolektive për administratën shtetërore, që është e para për nëpunësit administrativë dhe organet e gjyqësisë pas vitit 1995. 
 
LEUNORA KALIQI