Maqedoni

Gjuha e urrejtjes në media, KEM: Po shtohet, institucionet të funksionojnë

05.02.2020 14:53

Gjuha e urrejtjes gjithnjë e më shumë është e pranishme në media....

Sidomos në periudha parazgjedhore, gjuha e urrejtjes kthehet në fenomen gjithnjë të pranishëm e mjaft shqetësues. 
 
“20% e ankesave janë në lidhje me gjuhën e urrejtjes. Ky fenomen i rrezikshëm vazhdon të mbijetojë, madje analizat tregojnë se ka të njëjtin trend si edhe vitet e tjera. Komisioni për Ankesa vlerëson se duhen organizuar nisma të tilla, t’i adresojmë problemet, por gjithsesi institucionet duhet të funksionojnë.”,- deklaroi kryetarja e Këshillit për Etikë në Media, Marina Tuneva.
 
Çulev: MPB zbaton ligjin, por nuk iu bëhet dot redaktor
 
Ministri i brendshëm, Çulev, thotë se MPB do të respektojë ligjet, por nuk mund të jetë redaktor  i mediave. E kjo deklaratë shkaktoi reagimin e Këshillit për Etikë në Media.
 
“Gjuha e urrejtjes në media para së gjithash është detyrë e vetë mediave, të drejtave të tyre redaktuese dhe standardeve profesionale. Policia nuk mundet as nuk do dikujt t’i bëhet redaktor. Ajo që policia mundet e pas të cilës do të qëndrojë është zbatimi strikt i ligjeve në pikëpamje të gjuhës së urrejtjes, e cila si dukuri negative është normuar në legjislacionin tonë.”,- tha ministri i punëve të brendshme, Naqe Çulev.
 
KEM: Shteti të zbatojë ligjet, që mediat të jenë efikase
 
“Gjuha e urrejtjes nuk guxon të shikohet si thyerje e kodit ose standardeve gazetareske, por bëhet fjalë për një formë më specifike, e cila është e rregulluar me ligj penal dhe këtu roli i mediave nuk mundet të jetë plotësisht efektiv në qoftë se shteti nuk i zbaton ligjet ashtu siç duhet.”,- theksoi kryetarja e Bordit në KEM, Katerina Sinadinovska.
 
Zgjedhjet e lira, korrekte e pa urrejtje, Koja: Me rëndësi jetike për përparimin e vendit
 
OSBE përkujton se zgjedhjet janë me rëndësi për rrugëtimin integrues të vendit.
 
“Ky është një moment mjaft i rëndësishëm, pasi Maqedonia e Veriut angazhohet për arritjen e qëllimeve të saj strategjike. Zgjedhjet e lira, korrekte dhe pa urrejtje,  janë me rëndësi jetike për përparimin e vendit.”,- u shpreh ambasadori i OSBE-së, Klemens Koja.
 
Për të parandaluar gjuhën e urrejtjes para një viti është formuar edhe rrjeti kundër gjuhës së urrejtjes nëpër media, në të cilën marrin pjesë 16 institucione shtetërore dhe OJQ.   
 
ERSAN PAJAZITI
GAZETAR:
ERSAN PAJAZITI