Maqedoni
Qeveria Kurti - marrëdhëniet Prishtinë - Shkup, analistët: Bashkëpunimi institucional do të vazhdojë
05.02.2020 16:25
Ndryshimi i pushtetit në Kosovë nuk do të ndikojë aspak në marrëdhëniet...

Ndryshimi i pushtetit në Kosovë nuk do të ndikojë aspak në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Panelistët në “Argument” në TVM2, presin që institucionet të vazhdojnë bashkëpunimin, madje ta intensifikojnë atë.
„Nga të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni, bashkëpunimi ka qenë institucional, pavarësisht kush ka qenë në pushtet apo opozitë, bashkëpunimi është zhvilluar me institucionet e Kosovës, sepse ato edhe përfaqësojnë shtetin dhe uroj që ky bashkëpunim të ec në këtë vijë, për shkak se pavarësisht kush është sot kryeministër, është e rëndësishme të respektohet Qeveria dhe shteti.”,- deklaroi analisti politik, Blerim Hyseni.
„Edhe politika është një lojë kolektive, është një art i të mundshmes, një mozaik ku duhet të përfshihen edhe elementet tjera që të jetë ajo tërësia e mozaikut të politikbërjes që të japë mesazhin se duhet angazhim dhe investim nga shumë palë.”,- u shpreh politikologu, Xhenis Sulimani.
Marrëdhëniet Prishtinë-Tiranë, Sinani: Marrëveshjet në letër, të funksionojnë
Pritet vazhdimësi edhe në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës. Madje, vizitat e para zyrtare të kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentares Osmani do të jenë pikërisht në Tiranë.
Por, gazetari, Naim Sinani, pret ndryshim të gjërave e që dokumentet në letër më në fund të kthehen në realitet të prekshëm për shqiptarët e dy shteteve shqiptare.
„Ato drekat e darkat, ato takimet e qeverive me disa marrëveshje në letër që vështirë zbatoheshin, unë shpresoj të merren nga qeveria Kurti seriozisht. Ata që janë për t’u implementuar të implementohen, të tjerat të rirregullohen, sepse nuk mundet që patatet e Kosovës të mos kalojnë në Shqipëri.”,- theksoi gazetari, Naim Sinani.
Analistët ishin të mendimit se ndryshimi i pushtetit në Kosovë do t’i shërbejë vetë shtetit të Kosovës i cili gjendet në periudhë të transicionit.
ZEKIRJA MEXHITI
