Maqedoni

Skandali me mbetjet mjekësore, Shilegov: Rastin e kemi paraqitur në prokurori

05.02.2020 16:44

Qyteti i Shkupit ka paraqitur në prokurori rastin me mbeturinat mjekësore...

Qyteti i Shkupit ka paraqitur në prokurori rastin me mbeturinat mjekësore, madje edhe pjesë gjymtyrësh të hedhura jashtë çdo kriteri në deponinë “Drislla”. Kreu i Shkupit, Shilegov, thotë se nuk kanë pasur dijeni se çfarë mbeturinash përpunoheshin në këtë deponi dhe të gjitha informacionet i kanë siguruar kur “Drislla” kaloi në pronësi të qytetit. 
 
“Atë që e kemi nga dokumentet tek të cilat tani kemi qasje është se gjatë vitit 2019, “Eko Klub” në “Drislla” ka sjellë rreth katër mijë e 800 kilogram mbeturina mjekësore. Pasi qyteti konstatoi se ka dëshmi materiale, i dërgoi të njëjtat në prokurori. Vetëm gjatë janarit të këtij viti janë sjellë në “Drislla” 1900 kilogram mbeturina mjekësore, ndërsa vetëm dje tre kamionë nga “Eko Klub”.”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Makraduli: Në “Drislla” kryhen ispektime të rregullta
 
Për transportimin e mbeturinave mjekësore në deponinë “Drislla” janë të licencuara katër kompani. Nga Ministria e Ekologjisë thonë se bëjnë kontrolle të vazhdueshme në çdo deponi e për çdo leje. 
 
“Ka kontrolle të rregullta dhe të paparalajmëruara, kontrollohen edhe emisionet në ajër, nuk janë ndërprerë kontrollet dhe nuk ka lëshime për askënd. Atë që obligohemi ta bëjmë në këtë periudhë është t’i kontrollojmë të gjitha lejet që janë dhënë, por dëshiroj t’u bind se Inspektorati Shtetëror i Ambientit Jetësor me shumë përgjegjësi e kryen detyrën.”,- theksoi zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli.
 
Mbeturinat mjekësore, LSDM e VMRO-DPMNE akuzojnë njëra-tjetrën
 
LSDM e VMRO nuk kanë lënë pa akuzuar njëra-tjetrën për mbeturinat në “Drislla”. 
 
“Kompania “Eko Klub” është në pronësi të Sasho Janakievskit, bashkëpunëtor shumë i afërt i Nikolla Gruevskit. Sasho Janakievskit ishte caktuar për drejtor të shtëpive hungareze tregtare në Shkup. Ai është konsul nderi për Maqedoni i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, kryeministrit që i dha azil, Nikolla Gruevskit.”,- u shpreh Kostadin Kostadinov nga LSDM.
 
“Ku është Filipçe dhe të gjithë kompetentët të përgjigjen për këtë rast! Ku është Jani Makraduli që të veprojë? Për skandal të këtillë të paparë, Prokuroria Publike patjetër menjëherë të reagojë, madje deri më tani duhej të kishte hapur hetim.”,- tha Marija Andonovska nga VMRO-DPMNE.
 
Skandali me mbetjet mjekësore, Prokuroria: Në rrjedhë procedura parahetimore
 
Prokuroria Publike thotë se procedura parahetimore është në rrjedhë e sipër, por paraqitja në prokurori nuk ishte mbështetur me dëshmi. 
 
“Prokuroria kompetente menjëherë pas pranimit të padisë penale ka dhënë urdhër deri te SPB - Shkup që të bëhen kontrollet e domosdoshme për të siguruar dëshmitë e nevojshme për të vërtetuar faktet dhe për të kontrolluar pretendimet në padi”,- thonë nga Prokuroria Publike. 
 
GYLTENE SINANI