Maqedoni

VMRO-DPMNE, kërkesë për shpërbërjen e kuvendit më 12 shkurt. LSDM: Prolongim i shpërbërjes, jo i datës së zgjedhjeve

05.02.2020 16:58

Pas paralajmërimeve të kreut të LSDM-së se shpërndarja e kuvendit mund të prolongohet...

Pas paralajmërimeve të kreut të LSDM-së se shpërndarja e kuvendit mund të prolongohet për shkak të miratimit të Ligjit për Prokurori Publike, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar kërkesën për shpërndarjen e kuvendit.
 
Sipas tyre, pavarësisht se kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve janë plotësuar, kreu i LSDM-së po përpiqet që t’i shmang ato.  
 
“Këtë vendim e propozojmë sepse pavarësisht përmbushjes së të gjitha kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, këto ditë shohim se si kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, përpiqet t’i shmangë ato me vendosjen e kushteve për miratimin e ligjeve që, për arsye të cilat vetëm ai i di, paraqesin kusht për mbajtjen e zgjedhjeve.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Por, nga LSDM thonë se të gjithë e kanë të qartë se sa i rëndësishëm është miratimi i Ligjit për Prokurori Publike. Sipas tyre, prolongimi i shpërndarjes së kuvendit më 12 shkurt nuk rrezikon datën e zgjedhjeve.
 
“Nuk kisha thënë se zgjedhjet anulohen. Eventualisht mund të gjejmë afate ligjore të cilat i mundëson Kushtetuta që të prolongohet shpërndarja e Kuvendit, me qëllim që deputetët të prononcohen, në vend që të shmangen deputetët e VMRO-DPMNE-së nga pronocimi lidhur me Ligjin për Prokurorinë Publike.”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Të martën, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se në rast se nuk miratohet propozim-Ligji për Prokurorinë Publike, Kuvendi nuk do të shpërndahet më 12 shkurt, por pa cenuar datën e zgjedhjeve të 12 prillit.  
 
NAIM RAMADANI