Maqedoni

Metodologjia e re e KE-së, Osmani: Nuk iu trembemi kritereve rigoroze, kemi punuar

05.02.2020 17:48

Zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani, është optimist se metodologjia e re e Komisionit Europian

Zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani, është optimist se metodologjia e re e Komisionit Europian shkurton rrugën e negociatave për anëtarësim.
 
Edhe pse me metodologjinë rriten kërkesat e BE-së ndaj vendeve aspirante, Osmani thotë se Maqedonia e Veriut nuk ka arsye të frikësohet sepse dinamika e përmbushjes së kritereve po ecën me ritme të përshpejtuara. 
 
“Ne jemi për kritere rigoroze për shkak se vlerësojmë se në një garë të barabartë dhe në një sistem të bazuar në meritokraci, ne shumë shpejt do të arrijmë t’i tejkalojmë vendet të cilat veç më bisedojnë. Thjeshtë ata nuk duan që dikush të hyjë pa rend në Bashkimin Europian.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osamni.
 
Në mars vendi pret dy vendime shumë serioze, atë për aprovimin e metodologjisë dhe vendimin për fillimin e negociatave, përkujton Osmani.
 
“Metodologjia në mars duhet të aprovohet në një farë mënyre pa u diskutuar përmbajtja e tekstit. Njëkohësisht në shkurt presim një raport të jashtëzakonshëm të komisionit dhe i njëjti gjithashtu shqyrtohet në mars. Pra, në samitin e marsit ne presim dy vendime: vendimin për aprovimin e metodologjisë dhe vendimin për fillimin e bisedimeve, dhe kjo presim të ndodhë në mars, sepse është i vetmi samit para samitit të Zagrebit në maj.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Edhe ministri i jashtëm Dimitrov, vlerëson se metodologjia do të kontribuojë për fitore të dyfishtë të Maqedonisë së Veriut drejt procesit të anëtarësimit, duke shtuar se rajoni nuk frikohet nga procesi reverzibil i afrimit drejt BE-së, pasi bëhet fjalë për benefite të cilat do të jetësohen në realitet.
 
Opozita maqedonase thotë se qëndrimin për metodologjinë do ta thotë pasi ta shikojë në detaje versionin zyrtar të dokumentit. 
 
FITIM KRYEZIU