Maqedoni

Komisioni paraqiti propozim metodologjinë e re, Varhelji: Integrimi i Ballkanit perëndimor, prioritet

05.02.2020 18:25

Komisioni Evropian prezantoi metodologjinë e re për zgjerim, e cila pretendon ta bëjë këtë proces më të besueshëm...

Komisioni Evropian prezantoi metodologjinë e re për zgjerim, e cila pretendon ta bëjë këtë proces më të besueshëm, me një politikë më të fortë, më dinamike dhe të parashikueshme.
 
Komisioni propozon grupimin e kapitujve të negociatave në gjashtë grupime tematike: bazat; tregu i brendshëm; konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni si dhe marrëdhëniet e jashtme.
 
Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet, ndërsa vlerësimi sipas meritave të çdo vendi kandidat është thelbësor. 
 
“Komisioni aprovoi metodologjinë e re për negociatat qasëse dhe ky është elementi i ri në strategjinë e rinovuar të zgjerimit, me të cilin kjo përbërje e re e Komisionit po paraqitet. Elementi i dytë në diskutimet tona do të jetë në ringritjen e negociatave qasëse me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe e treta do të jetë një plan ekonomik për zhvillim për gjithë rajonin dhe shpresojmë se Samiti i Zagrebit do ta miratojë.”,- deklaroi komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelji.
 
Komisioni qëndron fort në rekomandimet e tij për të hapur negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe së shpejti do të sigurojë një azhurnim mbi përparimin e bërë.
 
Varhelji tha se procesi i pranimit duhet të bazohet në besimin reciprok dhe angazhimet e qarta të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. 
 
“Besueshmëria duhet të forcohet përmes një përqendrimi edhe më të fortë në reformat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonomia e vendeve kandidate. Kur vendet partnere plotësojnë kriteret objektive, shtetet anëtare do të pranojnë të kalojnë në fazën tjetër të procesit, duke respektuar qasjen e bazuar në meritë.”,- tha komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelji.
 
Konform metodologjisë së re, Komisioni do të sigurojë qartësi më të madhe në atë që BE pret të bëjnë vendet kandidate në faza të ndryshme të procesit.
 
Ai do të sqarojë se cilat mund të sjellin pasojat pozitive të përparimit në reformë dhe cilat do të jenë pasojat negative kur nuk ka përparim.
 
Komisioni propozon masa më vendimtare për të korrigjuar në mënyrë proporcionale çdo stagnim serioz në zbatimin e reformës dhe përmbushjen e kërkesave në procesin e qasjes.
 
Bisedimet mund të mbahen në pritje, kapitujt e  mbyllur mund të rihapen ose të  pezullohen në përgjithësi. Metodologjia e re duhet të miratohet nga vendet anëtare deri më 24 mars.
 
SHPËTIM NUREDINI