Maqedoni

Protesta para Çimentores “Usje”, LAP: Biznesi mes politikës dhe oligarkëve, na helmon. Çimentorja “Usje”: Nuk e ndotim ajrin, kemi filtra e leje të integruar

05.02.2020 18:49

Çimentorja“USJE”, është një ndër ndotësit më të mëdhenj në Shkup...

Çimentorja“USJE”, është një ndër ndotësit më të mëdhenj në Shkup, akuzuan qytetarët protestues nga Lëvizja për Ajër të Pastër.
 
Protestën e filluan me një minutë heshtje për të gjitha viktimat e ndotjes. Thonë se me bllokadën e çimentores tregojnë rezistencë ndaj politikës së heshtur dhe biznesit në dëm të shëndetit të qytetarëve. Aktivistët i ndanë një kupë çimentores “Usje” si “Ndotësi  i vitit” dhe e bllokuan hyrjen e kompanisë me shirit të kuq.
 
“Nuk është problem te mazuti, problem më i madh është korrupsioni, për shkak të korrupsionin ndodhin të gjithë këto efekte anësore. Politikanët janë të lidhur ngushtë me oligarkët që na helmojnë, janë në bashkëpunim dhe bëjnë biznes, pa e vrarë mendjen për jetët tona. Erdhëm këtu sot t’iu tregojmë atyre se e dimë se çfarë bëjnë ata.”,- thanë nga Lëvizja për Ajër të Pastër.
 
Nga çimentorja thonë se nuk janë ata shkaktarët e ndotjes.
 
“Çimentorja “Usje” nuk është shkaktar i ndotjes së shtuar të ajrit në qytetit tonë, as në Tetovë, Kavadar, Manastir, Ohër e gjetiu. Fabrika ka filtra, ka leje të integruar. Nuk ka plumb dhe zink në pluhur, nga vijnë këto të dhëna. Nuk kanë logjikë bllokadat e Çimentores “USJE”, sepse të gjithë matjet përkatëse të emetimeve tregojnë se nuk jemi ndotës.”,- u shpreh drejtori i Çimentores “Usje”, Boris Hrisafov.
 
Por, protestuesit dyshojnë se në furrat e saj digjen materiale të rrezikshme dhe pyetën pse nga oxhakët del tym i zi.
 
Mjekët e  kualifikojnë ndotjen e ajrit si ekocid. Edhe nga Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë “Megjashi”, theksojnë se shkaktar kryesor i vdekjes së shumë fëmijëve në vendin tonë është ajri i ndotur.
 
“Çdo ditë e më tepër fëmijët sëmuren, në veçanti në periudhën e dimrit, nga sëmundje të rënda obstruktive si astma, gjithashtu çdo ditë shtrihen në spital fëmijë me dëmtime në sistemin respirator. Jemi këtu për t’i thënë Qeverisë mjaft më, vërtetë e keni tepruar.”,- theksoi një pediatër.
 
Protestuesit kërkojnë ndalim të plotë të çdo lloj mbeturine derisa të miratohen mekanizmat funksionale të kontrollit dhe direktivat.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU