Maqedoni

Pagesa e regresit dhe K-15, qeveria ndan 200 milion denarë në buxhet. OEM: Reformoni rrënjësisht administratën, pastaj K-15

05.02.2020 19:11

200 milion denarë do të ndahen për pagesën e K-15 edhe në administratën publike...

200 milion denarë do të ndahen për pagesën e K-15 edhe në administratën publike, regresi për pushim vjetor do të vlejë për të punësuarit në Drejtorinë shtetërore, gjykatat dhe Prokuroritë Publikë.
 
Sipas autoriteteve, nuk mund të presim shërbime efikase dhe cilësore nga administrata nëse pagat janë në nivelin e para 10 viteve.
 
“Është korrekte dhe jodiskriminuese që atë të drejtë ta kenë të punësuarit në vendin tonë. Shuma totale arrin në rreth 200 milion denarë. Shfrytëzuesit e buxhetit në kuadër të kufijve të tyre do të duhet t’i shpërndajnë dhe t’i sigurojnë këto mjete që të mund të bëhet pagesa K-15 dhe regresit.”,- theksoi ministrja e financave, Nina Angellovska.
 
“Kur punoni në firmë private ju paguajnë mëditje, ju paguajnë nëse shfrytëzoni veturën tuaj personale, ndërsa të punësuarit në Administratën Publike nuk kanë asgjë, prandaj vendosëm për këtë kategori të të punësuarve të marrin regres vjetor.”,- u shpreh ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
 
Por, nga OEM kërkojnë njëherë reformim rrënjësor të administratës e më pas marrëveshje kolektive për pagesa regresi.
 
“Kjo reformë vjen në kohën kur së pari duhej të bëhej reformim i administratës, gjegjësisht të gjithë të punësuarit që punojnë aty dhe janë joefikas dhe joefektiv, së pari duhej të reformohet, që pastaj të gjithë ata që meritojnë të jenë në sektorin publik t’u lejohet të marrin regres.”,- u tha nga OEM.
 
Kanë reaguar edhe sindikatat, të cilat vendimin e vlerësojnë si parazgjedhor dhe madje edhe diskriminues për shkak se nuk e përfshin të gjithë administratën. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI