Davutoglu: Nuk do të lejojmë rënien e Kobanit
Turqia nuk do të lejojë që qyteti i Kobanit, ku dominojnë kurdët dhe që është pranë kufirit turko-sirian...

Turqia nuk do të lejojë që qyteti i Kobanit, ku dominojnë kurdët dhe që është pranë kufirit turko-sirian, të bjerë nën kontrollin e kryengritësve të Shtetit Islamik dhe do të bëjë gjithçka që mundet për ta parandaluar këtë gjë.
Kështu është shprehur kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, menjëherë pasi parlamenti miratoi nisjen e sulmeve ndaj Shtetit Islamik si në Irak edhe në Siri, si dhe lejimin e forcave të koalicionit të përdorin territorin turk për operacionet e tyre anti-ISIS.
Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë avancuar shumë pak kilometra nga qendra e Kobanit gjatë së enjtes, duke marrë kontrollin e qindra fshatrave përreth dhe duke detyruar 150 mijë kurdë të Sirisë të largohen për në Turqi.
Mbrëmë, Parlamenti turk miratoi një mocion, i cili i mundëson qeverisë të autorizojë inkursione ushtarake përtej kufirit në Siri dhe në Irak, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.
Mocioni, i cili u miratua nga një shumicë prej 3/4-tave të Parlamentit, lejon gjithashtu ushtarët e huaj të stacionohen në Turqi dhe të përdorin bazat e saj ushtarake për të njëjtin qëllim.
Ankaraja ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të luajtur një rol më të fuqishëm në fushatën ushtarake të udhëhequr prej Amerikës kundër Shtetit Islamik, pasi kryengritësit u avancuan shumë pranë kufirit turko-sirian.
