Botë

Rama: ShBA-të kontribuuan për transformimin e Ballkanit

06.02.2020 11:31

Shqipëria, dhe gjithë Ballkani Perëndimor është një rajon më i mirë, para së gjithash falë Shteteve të Bashkuara, ka deklaruar kryeministri shqiptar, Edi Rama....

Gjatë një diskutimi në Këshillin Atlantik në Uashington, Rama tha se ShBA-ja ka kontribuar në transformimin e Ballkanit Perëndimor - nga një zonë me armiqësi dhe kapitujve të gjatë të konfliktit dhe gjakderdhjes - në një zonë paqeje dhe bashkëpunimi.
 
“Por, sigurisht ende nuk jemi ku mundemi dhe duhet të jemi, sepse ka akoma çështje dhe probleme për të zgjidhur dhe ne shpresojmë në ndihmën e miqve amerikanë dhe si komb shqiptar, si shqiptarë që jetojmë jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, jemi absolutisht në një gjendje më të mirë”, ka thënë Rama.
 
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Rama ka takuar edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Sipas zëdhënëses Morgan Ortagus, sekretari Pompeo dhe kryeministri Rama diskutuan mbi përparësitë e përbashkëta gjatë kryesimit nga Shqipëria të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ndërkaq përmes një postimi në Facebook, Rama tha se me sekretarin Pompeo ka biseduar për projektin e Mini-Shengenit rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi.