Maqedoni
Rexhepi: Flakni urrejtjen dhe xhelozitë, zgjatni dorën e pajtimit
03.10.2014 15:04
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Sulejman Rexhepi dha sot mesazhin tradicional me rastin e festës së Kurban Bajramit...

Rexhepi uroi të gjithë besimtarët myslimanë, duke vlerësuar këtë festë si një ditë që përfshin mëshirën, dashurinë, humanizmin dhe respektin njerëzor.
“Besimtarë të dashur, sakrifica e juaj mund të jetë e llojllojshme. Sakrificë është edhe gatishmëria dhe angazhimi i juaj që festën e Kurban Bajramit ta gëzojnë edhe jetimët, skamnorët, njerëzit në nevojë. Mos urreni askënd e mos mbani mëri”, tha ef. Rexhepi.
“Le ta falënderojmë Allahun e Gjithëpushtetshëm që na e mundësoi ta presim edhe këtë Kurban Bajram, këtë festë që sublimon mëshirën, dashurinë, humanizmin dhe respektin njerëzor. E gjithë kjo manifestohet përmes therjes së kurbanit nga ata që kanë mundësi dhe përmes shpërndarjes për ata që janë në nevojë. Përmes këtij riti të vjetër që nga koha e Ibrahimit a.s. dëshmohet përkushtimi, devotshmëria dhe besimi i paluhatshëm.
Te krijuesi ynë nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbanit. Te Krijuesi ynë arrinë vepra jonë, gatishmëria e sinqertë për sakrificë e për t’u sakrifikuar në zbatim të urdhrave të Allahut Fuqiplotë. Prej nesh kërkohet që të jemi të devotshëm, të kontribuojmë për mirëqenie e për paqe, për dashuri e drejtësi.
Besimtarë të dashur, sakrifica e juaj mund të jetë e llojllojshme. Sakrificë është edhe gatishmëria dhe angazhimi i juaj që festën e Kurban Bajramit ta gëzojnë edhe jetimët, skamnorët, njerëzit në nevojë. Mos urreni askënd e mos mbani mëri! Urojani njëri-tjetrit këtë festë duke e zgjatur dorën e duke u marrur ngryk. Me këtë ditë feste le t’i flakim xhelozitë dhe inatet, ta zgjasim dorën vëllzarore dhe le ta krijojmë një atmosferë festive sa më madhështore.
Mos të harrojmë e ta lusim Allahun xh.sh. që haxhinjëve tanë t’ua pranojë të gjitha lutjet dhe ibadetet që po i kryejnë në tokën e shenjtë, ndërsa lutjet e tyre le të bëhen dritë për mbarë muslimanët gjithandej botës” ka përfunduar mesazhin e tij kreu I BFI-së Sulejman Rexhepi.
