Man Unitedi kujton udhëtimin tragjik nga Beogradi që ia la tetë lojtarë të vdekur

06.02.2020 11:56

Në përvjetorin e 62-të të tragjedisë së Munihut, që i la të vdekur 23 persona, Manchester Unitedi...

Në përvjetorin e 62-të të tragjedisë së Munihut, që i la të vdekur 23 persona, Manchester Unitedi i kujtoi tetë futbollistët dhe 15 personat e tjerë që vdiqën shkaku i aksidentit me aeroplanin me të cilin po udhëtonte skuadra e klubit.
 
Më 6 shkurt të vitit 1958, lojtarët e Manchester Unitedit ishin duke u kthyer nga Beogradi, ku kishin siguruar kualifikim në gjysmëfinale të Kupës Evropiane (tani njihet si Liga e Kampionëve) falë fitores kundër Crvena Zvezdas. 
 
Lojtarët që po udhëtonin në atë aeroplan ishin vlerësuar si ndër talentet më premtues në histori të futbollit anglez, pasi që ishin në rrugë të duhur për t’u bërë skuadra e parë britanike që e fiton një trofe evropian.
 
Megjithatë, tragjikisht, pasi ishte ndalur në Munih për t’u furnizuar me kerozinë, aeroplani me të cilin po udhëtonte skuadra e stafi i Manchester Unitedit, si dhe disa gazetarë, u përplas në tentimin e tretë për t’u ngritur shkaku i borës që e kishte mbuluar pistën. Kjo tragjedi ia mori jetën 23 personave, ndërsa 21 të tjerë mbijetuan.
 
Trajneri Matt Busby shpëtoi pasi u trajtua për një kohë të gjatë në spital, mirëpo tetë lojtarë e humbën jetën. Edhe 62 vjet pas kësaj tragjedie, tifozët e futbollit anglez besojnë se ajo skuadër e Manchester Unitedit mund ta kishte shkruar historinë si skuadra më e mirë britanike ndonjëherë.