Maqedoni

Koalicioni trepalësh, Sela: Koalicionimi më i rëndësishëm, ai me popullin

06.02.2020 14:02

Kaluan e u tejfishuan 48 orët e ofertës së Aleancës për Shqiptarët për dy partitë politike Lëvizjen Besa dhe Alternativë....

Kaluan e u tejfishuan 48 orët e ofertës së Aleancës për Shqiptarët për dy partitë politike Lëvizjen Besa dhe Alternativë, por nuk ka ende një përgjigje konkrete nëse ky koalicion do të arrihet. ASh po bën gjithçka për të mundësuar  koalicionimin trepalësh, thotë kryetari i saj, Ziadin Sela. Por, sipas tij, për partinë e tij më e rëndësishme është koalicionimi me popullin, andaj nuk përjashtoi mundësinë që ASh të shkojë e vetme në zgjedhje. 
 
“Koalicioni më kuptimplotë dhe më i rëndësishëm është koalicioni me opozitarin e vërtetë dhe në konceptin e Aleancës për Shqiptarët jeni ju mediat që duhet të jeni opozitarët realë. Pushteti shumë i rëndësishëm anti-pushtet dhe te opozitari i përhershëm është qytetari i thjeshtë dhe i zakonshëm, i cili çdo vendim që sjell qeveria i bie në kurriz të tij. Ne shkojmë edhe vet në zgjedhje me opozitën e vërtetë dhe më të kuptimtë. Ky është populli.”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Sela: Nuk do të lejojmë që procesi të keqpërdoret
 
Sa i përket deklaratave të Lëvizjes Besa se ofertat duhet të bëhen në tavolinë e jo nëpërmjet mediave, Sela tha se ka pasur takim edhe me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasamin. Marrëveshja për koalicionim ndërmjet këtyre partive politike, Sela thotë se është arritur në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kur Lëvizja Besa ishte e bashkuar dhe ASH po bën gjithçka që kjo të respektohet.
 
“Ne ia kemi zgjatur dorën njëri-tjetrit dhe gjithçka që bëjmë ne tani mirë është t’u shkojmë prapa fjalëve të dhëna në vitin 2017. Por, natyrisht duhet të them edhe këtë. Ne nuk do të lejojmë që këtë proces ta keqpërdorin njerëz të cilët këtë qëllim të mirë të Aleancës për Shqiptarët, duan ta shndërrojnë në armë kundër ASH-së, në mënyrë që brendapërbrenda votuesve  të fusin dyshimet që pa këtë ose pa atë nuk do të arrihet fitorja.”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Kryetari i ASh-së u prononcua edhe rreth Ligjit për Prokurorinë Publike. Përkujtoi se, qëndrimi i Aleancës është kthyer në amendamente dhe kërkoi  monitorim nga jashtë të të gjitha procedurave gjyqësore prokurorisë që do ta trashëgojë PSP-në. 
 
ERSAN PAJAZITI