Maqedoni
OEMVP mban takime me politikanët, ndërkohë ia prezantoi ASh-së platformën ekonomike
06.02.2020 14:40
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore po takohet me përfaqësues të politikës për tua prezantuar Platformën....

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore po takohet me përfaqësues të politikës për tua prezantuar Platformën për zhvillim ekonomik, të përgatitur nga OEMVP, që përfshin propozim politika prioritare në formë të masave, që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Në kuadër të idesë për të ndërtuar bashkëpunim mes komunitetit të biznesit dhe aktorëve politikë, drejtuesit e OEMVP-së u takuan sot me kreun e ASh-së, Ziadin Sela.
“Biznesi është gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike. Çdo veprim apo çdo ndryshim ligj siç ka ndodhur në të kaluarën pa konsultim me biznesin, do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik, pasojat do të jenë negative dhe biznesi do të pësojë dëm. Çdo vendim apo ndryshim i ligjit që ka të bëjë me biznesin, duhet të bëhen në konsultim me biznesin dhe vendimet të merren në bazë të fakteve e argumenteve që ne do parashtrojmë.”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
“Një segment i rëndësishëm është reforma në drejtësi pa të cilën nuk ka kuptim as liria e qytetarit e as e bizneseve. Nëse shihni të gjitha lëndët ku ka konteste mes sektorit privat e publik, gjithnjë fiton sektori publik e biznesi ndjehet i diskriminuar.”,- u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
