Botë
Haradinaj letër të hapur Kurtit: Mos e hiq taksën, jo reciprocitet pa njohje
06.02.2020 15:10
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, të cilit i kërkon të mos heqë taksën ndaj mallrave nga Serbia.
“Ne mund të mos pajtohemi për shumë gjëra të politikës ditore, por sakrificën gjithmonë ta kam njohur. Për shkak të kësaj sakrifice dua që personalisht të të lutem, të mos e heqësh taksën ndaj Serbisë. Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë Eurove për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar, shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terma të mjegullta, siç është reciprociteti. Mos u tërhiq për disa pikë të përkohshme politike që mund t’i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare. Rikonsideroje vendimin. Ne mund të vazhdojmë të mos pajtohemi. Për këto mospajtime sovrani ka dhënë verdiktin më 6 Tetor, por kjo është një temë më e madhe se sa një grusht vota. Nuk kemi arritur deri këtu ku jemi si Kosovë me taktizime të përkohshme, por me sakrificë e qëndrueshmëri. Në kundërshtim të Serbisë, duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”, thotë Haradinaj në letrën e tij të hapur për Kurtin.

