Maqedoni

Investim amerikan në TZHT-Shkup, priten punësime të reja në 3 impiantet e fabrikës

06.02.2020 15:41

Kompania amerikane “DURA Automotive Systems”, një nga kompanitë më të fuqishme në industrinë e automobilave....

Kompania amerikane “DURA Automotive Systems”, një nga kompanitë më të fuqishme në industrinë e automobilave me mbi 30 fabrika dhe qendra inxhinierike në 12 shtete, tashmë ka filluar prodhimin në fabrikën e saj të parë dhe po fillon ndërtimin e dy impianteve të reja. Kompaninë e vizitoi sot një ekip i lartë qeveritar i shoqëruar edhe nga ambasadorja amerikane, Kate Marie Burns. 
 
“Kompania synon të ndërtojë gjithashtu edhe një Qendër Kërkimi dhe Zhvillimi për të mbështetur fabrikat e saj, të cilat do të punësojnë inxhinierë kualifikime të larta dhe me përvojë, përfshirë inxhinierë të dizajnit kompjuterikë, ekspertë të makinerive, inxhinierë mekanikë dhe elektrikë dhe të cilët do të ofrojnë trajnime për punonjësit.”,- tha kryeministri, Oliver Spasovski.
 
“Me anëtarësimin edhe formal të vendit në strukturat euroatlantike, ne do të shtojmë investime të tilla, në veçanti ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Politikat e qeverisë japin rezultatet e duhura. Jemi më shumë të fokusuar që të krijojmë vende të reja pune, të cilat janë mirë të paguara, por edhe të ndalim që rina jonë ta lëshojë vendin.”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
"Bordi udhëheqës i kompanisë “DURA” ka hasur në mbështetjen e Qeverisë dhe prezantimet serioze të kushteve dhe përfitimeve që ne ofrojmë nëpër zona për të gjithë investitorët e huaj, në bazë të Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve.”,- theksoi drejtori i Zonave Teknologjike të Zhvillimit Industrial, Aleksandar Mlladenovski.
 
“Ekipi menaxhues vlerëson lart bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mbështetja e tyre e fortë ka mundësuar që ekipi ynë evropian i operacioneve të lëvizë shpejt për të përfunduar këtë shtesë strategjike në punët tona.”,- tha drejtori i Kompanisë “Dura Automotive”, Mike Beket.
 
Në 3 impiantet e kompanisë pritet të punësohen rreth 780 persona.
 
REJHANE BUSHI METAJ
GAZETARE:
REJHANE BUSHI METAJ