Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, lexohen mesazhet e Boki 13 me Remenskin e Kamçevin

06.02.2020 16:25

I akuzuari i parë në rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovski, u ankua se ka kancer në lukth dhe kërkoi anulimin e seancës gjyqësore.....

Gjykatësja, Vaska Nikollovska Maseva, ofroi të thërrasë ndihmën e shpejtë për të përcaktuar nëse Boki është në gjendje ta ndjek seancën, por Jovanovski mohoi ndihmën mjekësore. Sipas tij, diazepamët që mjekët ia japin nuk i ndihmojnë e ai do të trajtohet për kancerin, e jo t’i japin qetësues. Mbrojtja këmbëngul për ndryshimin e masës “paraburgim efektiv”.
 
“Një njeri i cili gjatë tërë kohës vjell gjak, nuk është në gjendje të ndjek seancën dhe nuk mund të zhvillohet gjykim korrekt. Për këto arsye do të parashtrohet kërkesë për shqyrtimin e rrethanave për ndërrimin e kësaj mase.”,- tha avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.
 
Në vazhdimin e seancës u prezantuan edhe raporte nga ekspertiza e telefonave celularë dhe komunikimin në “What’s Up” mes Bojan Jovanovskit dhe Katica Janevës, të cilës i ka dërguar fotografi nga mobilet që kanë arritur. U prezantuan edhe dëshmi nga emisioni i papublikuar “Insajder” dhe edhe xhirollogaritë fiskale ku Boki 13 për shoping treditor në Itali ka shpenzuar 148 mijë euro. Në disa nga mesazhet, Kamçev i dërgon foto Jovanovskit për vendimet e prokurorisë, duke i thënë se garanci është dyqani “Svarovski” në shesh dhe një hapësirë tjetër afariste. 
 
Ndërkohë, deputetja, Frosina Remenski, i ka shkruar mesazh Boki 13, ku thuhet se nesër do të vendoset për ankesën e Orçes, ndërsa Boki i shkruan OK. “Do të ketë hetim, katastrofë”,- thuhet më pas në mesazhet mes Jovanovskit dhe Remenskës. U lexuan edhe mesazhe nga komunikimi mes Bokit dhe Dejanit nga “Pelisterka”, ku komentohen vendime gjyqësore dhe flitet për para që janë transferuar apo pritet të transferohen. 
 
Seanca e radhës për rastin “Zhvatja” është caktuar për të premten.
 
FLUTURA LATIFI
GAZETARE:
FLUTURA LATIFI