Maqedoni
Mbeturinat mjekësore në “Dirslla”, Shilegov: Prokuroria dhe Inspektorati, 50 ditë heshtën
06.02.2020 16:44
Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, kritikon prokuroren e rastit dhe Inspektoratin Shtetëror...

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, kritikon prokuroren e rastit dhe Inspektoratin Shtetëror për Mbrojtjen e Ambientit Jetësor, pasi, siç thotë ai, 50 ditë kanë heshtur për rastin e mënyrës së mbeturinave mjekësore nga Kompania “Eko Klub”.
“Gjatë paraqitjes së rastit, prokurores i janë treguar video regjistrimet që i posedon qyteti dhe Inspektorati i qytetit. Prokurorja e ka thirrur policinë dhe pas një ore kanë dalë në vendngjarje bashkë me inspektorin e qytetit. Është bërë kontroll, ka qenë i pranishëm edhe këshilltari i cili po ashtu është dëshmitar i video-regjistrimit. Pas kësaj, ata janë liruar dhe nuk është kërkuar asgjë më shumë. Nga 13 dhjetori deri në muajin janar, ne nuk dimë në lidhje me lëndën. Me shkresë i jam drejtuar sërish prokurorisë, dërgova edhe CD-në me video regjistrimet që i pa opinioni. Përsëri nuk pati kurrfarë reagimi, as nga Prokuroria Publike, as nga Inspektorati Shtetëror për Mbrojtjen e Ambientit Jetësor.”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Prokuroria: Rasti ndodhet në procedurë parahetimore
Por, nga Prokuroria thonë se po punojnë pas kallëzimit penal për trajtimin e mbeturinave mjekësore nga “Eko Klub”, të parashtruar më 13 dhjetor të vitit të kaluar. Nga prokuroria thonë se: “Gjatë parashtrimit të kallëzimit penal, parashtruesi nuk ka paraqitur dëshmi materiale, ndërsa për ngjarjen nuk është paraqitur as evidencë zyrtare, e as procesverbal për parregullsi të konstatuara nga ana e inspektorit”.
Prokuroria sqaron se SPB-së në Shkup i është dhënë urdhër të bëjë kontrolle shtesë për të siguruar dëshmi lidhur me pretendimet e kallëzimit penal dhe po vazhdojnë procedurat parahetimore.
“Edhe Inspektoratit Shtetëror të Ambientit Jetësor i janë kërkuar të dhënat për të gjitha kontrollet shtesë dhe gjendjet e konstatuara për veprimin me mbeturina mjekësore nga ana e personit juridik. Është urdhëruar edhe policia financiare që të kontrollojë punën financiare të subjektit juridik”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
GYLTENE SINANI
