Maqedoni

Zgjedhjet parlamentare, KShZ ka nisur përgatitjet për zgjedhjet, Shehu: Nisim me trajnimin e Këshillave Zgjedhorë

06.02.2020 17:00

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet e para për realizimin

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet e para për realizimin e zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit. Është nisur nga trajnimi i Këshillave Zgjedhorë, të cilët do të përgatiten nga trajnues të jashtëm. Thirrja publike është shpallur, ndërkaq nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu, shpreson për më shumë cilësi në këtë cikël zgjedhor.
 
“Do të kemi një trajnim më ndryshe të cilin e filluam prej zgjedhjeve presidenciale 2019-të, d.m.th. do të trajnohen të gjithë këshillat zgjedhorë nga ana e trajnuesve të jashtëm, të cilët kanë pasur trajnime edhe te ne si KSHZ, janë të licencuar dhe mendojmë se do të kemi sukses më të madh gjatë këtyre zgjedhjeve.”,- deklaroi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
 
Shehu: Qytetarët të shohin Listën Zgjedhore
 
Lista zgjedhore e cila është e hapur për kontroll nga ana e qytetarëve, së fundmi do të mund të korrigjohet edhe gjatë shqyrtimit publik, dhjetë ditë pas shpalljes së zgjedhjeve. Atëherë qytetarët nëse nuk figurojnë në listën e votuesve, për të shfrytëzuar të drejtën e votimit, do të duhet të dorëzojnë kërkesë deri tek njësitë rajonale të KShZ-së që të bëhet regjistrimi i tyre.
 
“Në atë moment nëse nuk gjenden në listën zgjedhore dhe gjatë shqyrtimit publik nuk e kontrollojnë veten në faqen tonë ose në njësitë rajonale tonat, atëherë ata persona nuk do të jenë në listën zgjedhore, ndërsa deri në 12 shkurt nëse nuk kanë dokumente valide nuk do të jenë në listën zgjedhore.”,- tha nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
 
Furnizimi I materialit zgjedhor kësaj radhe do të bëhet në mënyrë transparente dhe do të shpallet në sistemin elektronik të furnizimeve publike. Shpresohet të ketë më shumë oferta që të bëhet përzgjedhja më e lirë. Buxheti i KShZ-së për këto zgjedhje është afër gjashtë milion euro, duke përfshirë këtu edhe pagesën e fushatës mediatike të kandidatëve në garën zgjedhore.
 
MERAL ISMAILI