Maqedoni

Iniciativa për shpërbërjen e Kuvendit, LSDM: Është blof për të penguar proceset. VMRO-DPMNE: Caktoni seancën të shohim a është blof

06.02.2020 17:43

LSDM vlerëson se opozita maqedonase e ka blof dorëzimin e iniciativës për shpërndarjen e Kuvendit...

Akuzojnë VMRO-në se është e gatshme për gjithçka vetëm që të mos miratohet Ligji për Prokurorinë Publike. Sipas LSDM-së, ende ka kohë për miratimin e ligjit.
 
Për momentin janë të sigurta 50 votat e LSDM-së edhe përkundër faktit që partitë e tjera kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit me propozimet e tyre. 
 
“Blofi i tyre i shprehur ditë më parë ka për qëllim pengimin e proceseve në shtet. Jo më 12 shkurt, por nëse munden ata do ta shpërndanin Kuvendin edhe para 1 jave me të vetmin qëllim, që Ligji për Prokurorinë Publike të mos futet në procedurë.”,- tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
 
Por, VMRO është kundër propozimit të sjellë nga Qeveria. Akuzon ministren Deskovska se nuk është e gatshme të respektojë vërejtjet e ekspertëve. VMRO i kërkon kryeparlamentarit Xhaferi të vë në rend dite propozimin e tyre për shpërbërjen e parlamentit më 13 shkurt. 
 
“Me materialin që e kemi dorëzuar, duhet caktohet seanca për shpërndarje të Kuvendit në të cilën deputetët e LSDM-së do ta shohin nëse është blof ose jo.”,- theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Teksa VMRO mbetet në qëndrimin që duhen lënë ekspertët të përgatisin një version tërësisht të ri të ligjit, LSDM është e bindur se ligji mund të miratohet nga kjo përbërje parlamentare me shtyrjen e afatit për shpërbërjen e parlamentit.
 
Për momentin negociatat kanë ngecur. Jozyrtarisht flitet qe qeveria do ta dërgojë për miratim me procedurë të shpejtë propozim ligjin në kuvend duke ia vendosur yllin e BE-së.
 
SHPËTIM NUREDINI