Maqedoni
U nënshkrua Marrëveshja kolektive me SPOGJSH. Mançevski: Për ata që nuk paraqiten në punë nuk ka K-15
06.02.2020 18:23
U nënshkrua edhe zyrtarisht marrëveshja kolektive mes Sindikatës së Punonjësve të Organeve Gjyqësore...
U nënshkrua edhe zyrtarisht marrëveshja kolektive mes Sindikatës së Punonjësve të Organeve Gjyqësore e Shoqatave Qytetare me Qeverisë.
Ministri i Administratës, Damjan Mançevski, thotë se pas rritjes së pagave në arsim, shëndetësi, mbrojtjen sociale dhe në mbrojtje, ishte radha për ndryshime edhe në Administratën shtetërore dhe organet e gjyqësisë. Një pjesë e mjeteve janë siguruar nga buxheti dhe të tjerat do të sigurohen nga rebalanci i buxhetit.
“Kjo marrëveshje rregullon të drejtat më të mëdha dhe më të favorshme për punonjësit. Këto janë disa nga të drejtat që i ka edhe sektori privat. Disa nga të drejtat praktikisht janë rikthyer pasi ato u shfuqizuan si një masë anti-krizë me një vendim të qeverisë në 2011-n.”,- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mancevski.
Ministri Mançevski ishte i qartë. Administratorët që rrinë në shtëpi e marrin rrogë nuk përfitojnë nga këto beneficione.
“Sigurisht se do të përkujdesemi që ajo të mos vlejë për të punësuarit, të ashtuquajtur të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, sado që atë e thotë Marrëveshja kolektive. Do të gjejmë mënyra së bashku me sindikatën dhe institucionet përgjegjëse që këta njerëz të mos marrin K-15. Nënkuptohet se pagesa do të vlejë për ata që do të pranojnë sistemimin.”,- u shpreh ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mancevski.
Sa i përket akuzave se nuk duhet paguar regres e K15 për administratorë joefikasë, nga SPOGJSH thonë se nuk mund të vuajë gjithë administrata për shkak të individëve që nuk kryejnë punën e tyre.
“Ne nuk mund të themi që administrata jonë është joefikase. Kudo ka persona jopunëtorë, kështu është edhe në Administratë, por ka edhe të atillë që duhet të vlerësohen.”,- theksoi kryetari i Sindikatës së OGJSHQ-së, Pece Grujovski.
Lidhur me reagimet e sindikatave të tjera, Mançevski sqaron se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të përgjithshme kolektive për sektorin publik, por vetëm për një marrëveshje kolektive të nënshkruar me një sindikatë reprezentative.
VLORA LATIFI TOPOJANI
