Maqedoni
“Alternativa” iu përgjigj me shkrim ofertës. Sela: Lëvizja “Besa” injoroi ofertën tonë. “Alternativa”: U krijuam shqiptarëve adresën e ndryshimit
06.02.2020 18:42
“Alternativa” e Afrim Gashit iu përgjigj pozitivisht me shkrim ofertës së dhënë të martën nga “Aleanca për Shqiptarët"...

“Alternativa” e Afrim Gashit iu përgjigj pozitivisht me shkrim ofertës së dhënë të martën nga “Aleanca për Shqiptarët” për koalicion parazgjedhor.
Në një prononcim video në FB, kreu i ASh-së, Ziadin Sela, thotë se ka vetëm një parapëlqim për një koalicion për 12 prillit dhe kthim mbrapa nga ky moment nuk ka.
Sela thotë se ASh kurrë nuk e ka llogaritur veten si objekt për arritjen e interesave partiake të dikujt.
“Kam marrë një pëlqim me shkrim për një koalicion parazgjedhor nga z. Afrim Gashi, kryetar i “Alternativës” dhe fatkeqësisht kemi hasur në injorim nga ana e palëve tjera. Aleanca nuk do të jetë assesi mënyra nëpërmjet të cilës dikush do të dojë të mbijetojë në skenën politike.”,- tha kryetari i “Aleancës për Shqiptarët”, Ziadin Sela.
Prej këtij momenti bëhet e qartë se ASh dhe “Alternativa” do të garojnë si koalicion në zgjedhjet e parakohshme, por duke lënë gjithsesi derën hapur edhe për bashkimin e forcave të tjera politike në këtë koalicion.
“Mbetemi të hapur për të gjitha palët tjera të cilat janë të interesuara që ta bëjnë sa më të fortë votën e shqiptarëve, sa më të bashkuar, që ta maksimizojnë ofertën shqiptare në zgjedhjet e 12 prillit, por edhe periudhën pas 12 prillit.”,- u shpreh kryetari i “Aleancës për Shqiptarët”, Ziadin Sela.
Edhe nga “Alternativa” konfirmojnë arritjen e marrëveshjes së koalicionit me ASh-në.
“Ne ia dolëm që shqiptarëve të Maqedonisë t’ua krijojmë adresën e saktë të ndryshimit në zgjedhjet e 12 prillit”,- thuhet në njoftimin e partisë së Gashit.
ERSAN PAJAZITI
