Maqedoni
Subvencionet shtetërore për “TE-TO”-n, SHMDA: Kishte fitim 120 mln euro, por iu fal tatimi
06.02.2020 19:30
Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Aksionarëve në ngrohtoren “AD – Skopje”...

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Aksionarëve në ngrohtoren “AD – Skopje”, kanë dalë kundër subvencioneve shtetërore për kompaninë “TE-TO”.
Kompania fiton 120 milion euro në vit, por megjithatë shteti i ofron pagimin e tatimit mbi të ardhura, thotë Dimitar Haxhi Mishev - drejtori i ish ngrohtores “AD-Skopje” që tashmë është ndërmarrje e falimentuar.
Për ta është i paqartë edhe fakti që vendimi për ndihmë shtetërore ndahet disa muaj pas ngritjes së kallëzimit penal nga Drejtoria e Policisë Financiare për “TE-TO”-n dhe drejtuesit e saj dhe gjykatësen e procesit të falimentimit, për dëmin e shkaktuar ndaj ngrohtores “AD” dhe pas padisë shtesë për larje parash në vlerë prej 150 milion eurosh.
“Publikisht kërkoj që Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës menjëherë ta rishqyrtojë vendimin për përkrahjen që shteti ka dhënë për “TE-TO”-n. Prokuroria Themelore Publike sa më shpejt që të jetë e mundur ta konfirmojë veprën për shkeljen e Ligjit të Ndërmarrjeve tregtare dhe realizimin e dy aktiviteteve të mëparshme, për të ndaluar procedurën e falimentimit të ngrohtores “AD” në mënyrë që të shmangen dëmet e pariparueshme për këtë kompani.”,- deklaroi drejtori i ish ngrohtores “AD-Skopje”, Dimitar Haxhi Mishev.
Shoqata i është drejtuar për ndihmë të gjitha institucioneve, por nuk ka marrë përgjigje. Vetëm në njërën nga mbledhjet e DAP morën informacione se vendimi për dhënien e ndihmës së Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare, e cila sipas Haxhi Mishev do të thotë se është vendim i pavlefshëm.
SEDAT SELIMI
