Kulturë
U shua “bilbili” i muzikës shqiptare, ndërroi jetë Nexhmije Pagarusha
07.02.2020 12:10
Ndërroi jetë bilbili i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha....

Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj të vitit 1933 në Malishevë të Pagarushës. Shkollimin për muzikë dhe paraqitjet e para si këngëtare i pati në Beograd, ndërsa në vitin 1948 u emërua këngëtare soliste në Radio Prishtina. Për rreth 40 vjet me radhë, ajo pati një karrierë brilante në të gjitha zhanret e muzikës, në muzikën e përpunuar popullore, në muzikën e lehtë dhe në opera. Nexhmije Pagarusha ka interpretuar edhe si aktore në film dhe në teatër.
Nga 150 këngë të interpretuara nga Nexhmije Pagarusha, kanë mbetur shumë këngë të paharruara, si “Baresha”,” Zambaku i Prizrenit”,”Ani mori nuse”, “E dehun jam” etj. Karrierën e saj muzikore e përfundoi zyrtarisht me një koncert në Sarajevë në vitin 1984. Por, edhe pas këtij viti, ajo është rikthyer herë pas here si e ftuar në skenat e Kosovës dhe Shqipërisë. Kënga e Bareshës, që u kompozua nga bashkëshorti i saj, Rexhep Mulliqi, me tekst të Rifat Kukajt, është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj.
Koncertet e Nexhmije Pagarushës, në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë kufijve shqiptare janë të panumërta.
Çmimet kombëtare dhe ndërkombëtare me të cilat është shpërblyer brenda dhe jashtë kufijve shqiptare janë të panumërta gjithashtu. Në Kosovë është vlerësuar gati në të gjitha eventet muzikore ku ka marrë pjesë. Në Shqipëri, midis tjerash, nga presidenti, Bujar Nishani, ka marrë çmimin “Nderi i kombit”. Para një viti ajo mori "Medaljen e mirënjohjes" nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Shqiptaret e quajnë Nexhmije Pagarushën “Bilbili i Kosovës”. Ndaj sot, kudo që ata janë, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut e diasporë, mbajnë zi. Kanë humbur bilbilin e këngës shqipe.
Personalitete të politikës shqiptare, personalitete të artit dhe muzikës, miliona adhurues nëpërmjet të gjitha mjeteve mediatike, shprehin sot dhimbjen e tyre. Midis shumë të tjerëve, këngëtarja e njohur, Eda Zari, shkruan: “Jo! O shtrenjtësi, o dashni, ZËRI im Ti! O Pagarusha ime... E qielli do ketë tani zërin tënd! Yjet presin yllin!
Prehje në paqe, drita rrezatoftë mbi ty!”
MERITA ÇOÇOLI
