Botë
Tensione në parlamentin ukrainas, opozita dhe mazhoranca përplasen për podiumin
07.02.2020 14:01
Në parlamentin ukrainas, opozita dhe mazhoranca janë përplasur fizikisht për shkak të një ligji...

Në parlamentin ukrainas, opozita dhe mazhoranca janë përplasur fizikisht për shkak të një ligji që do i njoh pronarëve të tokave bujqësore të drejtën për ta shitur atë dhe jo vetëm për ta dhënë me qira.
Një ligj që pritet të lejojë shitjen e tokës bujqësore shtyu të enjten në përplasje fizike deputetët rivalë në parlamentin ukrainas.
Ndërsa mbahej votimi dhe diskutoheshin propozimet e opozitës, anëtarë të partisë në pushtet dhe kolegët e ish-kryeministres Julia Timoshenko shtynin njëri-tjetrin për të liruar podiumin e zënë nga ish-zyrtarja e lartë dhe për të pezulluar seancën.
Ligjvënësit morën parasysh 184 nga afro 4 mijë amendamentet e dërguara për shqyrtim ndërsa puna për projektligjin vijon të premten.
Qindra fermerë kanë protestuar para godinës legjislative këto dy ditë, pasi druhen se me ligjin e ri tokat bujqësore që ata marrin me qira mund të bien në duart e bizneseve të fuqishme dhe atyre të huaja, madje edhe ruse, duke i nxjerrë ata nga tregu.
Presidenti Volodimir Zelenski e mbështet nismën e re për qëllime ekonomike, por ka propozuar që të hidhet në referendum çështja e zotërimit të tokës nga shtetasit e huaj.
75 për qind e tokës bujqësore në Ukrainë aktualisht i takon pronarëve të vegjël të cilët ligjërisht mund ta japin atë me qira por jo ta shesin.
Ligji i ri ka vënë sërish në sprovë presidentin ukrainas Zelenski, për të cilin mbështetja popullore është ulur nga 73 për qind në 49 për qind sipas sondazheve të fundit, pasi nuk po vepron aq shpejt sa duhet për të adresuar problemin e varfërisë dhe korrupsionit që e solli atë në pushtet 1 vit më parë./Ora News
