Maqedoni

Zhbogar: Fillimi i bisedimeve varet nga reformat, zgjedhjet dhe marrëdhëniet me fqinjët

07.02.2020 15:03

Metodologjia e re e BE-së garanton përshpejtim të procesit, por Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë...

Metodologjia e re e BE-së garanton përshpejtim të procesit, por Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë, vlerëson euroambasadori, Samuel Zhbogar. Implementimi i reformave, organizimi i zgjedhjeve demokratike dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore do të jenë parakusht për fillimin e bisedimeve me BE-në, tha Zhbogar. 
 
“Komisioni bëri punën e tij, ne kemi bërë pjesën tonë. Dokumenti është këtu, vendet kandidate tani do të duhet të shikojnë atë dhe ta adaptojnë. Ky është partneritet, ashtu që ka punë që duhet t’i bëni në anën tuaj. Ka ende punë që duhet të bëhen, t’i demonstrojnë Komisionit të ardhmen evropiane të RMV-së. Të vazhdohet me reformat, të organizohen zgjedhje fer dhe demokratike, dhe të vazhdohet me marrëdhëniet e mira fqinjësore.”,- tha ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
 
Sa i përket reformave, euroambasadori Zhbogar u ndal në Ligjin për Prokurori Publike. Ai ripërsëriti mesazhin e komisionarit Varhejli, që ligji edhe pse nuk është kusht për të filluar bisedimet me BE-në, miratimi i tij është me rëndësi të madhe.
 
“Në të vërtetë Komisioni nuk e ka vënë Ligjin për PP-në si kusht, por është diçka që duhet të bëhet për disa arsye. Parimisht, gjithsesi për qytetarët, të besojnë në drejtësi, se nuk ka pandëshkueshmëri për krimin. Është me rëndësi për disa vende anëtare të BE-së të shohin demonstrim dhe përkushtim në sundimin e së drejtës, dhe në fund gjithsesi se duam të shohim demonstrimin e ndryshimit të mënyrës së të menduarit, që është minimum që mund të bëjmë për t’i hapur negociatat. Si ne mund t’i shfrytëzojmë bisedimet deri në maksimum për ta ndryshuar vendin dhe për të parandaluar ikjen e të rinjve.”,- theksoi ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
 
Ambasadori Zhbogar kujtoi edhe një herë që Komisioni Evropian  vendosi këto rregulla të reja për ta bërë procesin më të besueshëm dhe më dinamik.
 
ERSAN PAJAZITI