Maqedoni

Virusi Korona, vdes mjeku që e paralajmëroi virusin. Filipçe: Në RMV nuk ka të infektuar nga ky virus

07.02.2020 15:30

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka konfirmuar se është rritur në 636 numri i të vdekurve nga virusi Korona...

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka konfirmuar se është rritur në 636 numri i të vdekurve nga virusi Korona, ndërsa mbi 31,000 janë të infektuar. Në mesin e të vdekurve është edhe Li Wenliang - mjeku që e kishte paralajmëruar virusin që më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Ai vdiq pasi u infektua nga virusi Korona derisa punonte në spitalin qendror të qytetit Vuhan.
 
Dhjetëra vende të tjera të botës, përfshirë disa shtete evropiane, kanë raportuar raste me virusin Korona, por autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut thonë se nuk është regjistruar asnjë shtetas i vendit të jetë i prekur nga ky virus. 
 
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, shpreson se të painfektuar do të rezultojnë edhe  tre shtetasit e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në karantinë në anijen e bllokuar në Jokohama të Japonisë. Autoritetet kineze i lënë të largohen nga vendi vetëm personat që nuk kanë probleme shëndetësore, deklaroi ministri Filipçe.
 
“Autoritetet kineze në mënyrë adekuate po i trajtojnë dhe para se të largohen nga vendi atje duhet të qëndrojnë 14 ditë në karantinë. Kina po i lëshon vetëm personat e shëndetshëm që ta braktisin vendin dhe ata do të na informonin që edhe ne t’i ndërmarrim masat këtu.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Ai po ashtu tha se edhe një tjetër shtetas i vendit ndodhet në karantinë në Francë dhe se për gjendjen e këtyre shtetasve kontaktojnë edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Këto komente Filipçe i bëri pas lëshimit në përdorim të Repartit të rinovuar në Klinikën Universitare të Neurokirurgjisë në Shkup.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI