Maqedoni

Qeveria miratoi propozim ligjin, do të subvencionohen shujtat studentore

07.02.2020 15:53

Qeveria e miratoi propozim ligjin për shujtë të subvencionuar studentore....

Qeveria e miratoi propozim ligjin për shujtë të subvencionuar studentore, ndërsa të njëjtin pritet që deputetët ta miratojnë me procedurë të shkurtuar. Ky propozim ligj parasheh që studentët e universiteteve shtetërore dhe private të shfrytëzojnë ushqim të subvencionuar në restorante të cilat do të lidhin kontratë me MASh-in. Janë paraparë 120 denarë në ditë apo 2400 denarë në muaj, për çdo student për ushqim të shëndetshëm studentor. Studentët e mirëpresin një nismë të tillë, pasi shumica e tyre thonë se ushqehen me fast food-e.
 
“Ne si tinejxherë mund të them se çdoherë përdorim fast food dhe pëlqejmë gjëra të tilla, besoj se do jetë një ndryshim i madh për ne dhe ndryshim i mirë.”,- tha një student.
 
“Ne kemi harxhime diku 150 den. në ditë, nëse këto harxhime i përdorim për aktivitete tjera kjo do na ndihmojë shumë.”,- u shpreh një student.
 
“Në momentet kur shteti inicion ndihmesa të këtilla, studentët janë të gatshëm të merren edhe me aktivitet tjera, për arsye se u lehtësohet edhe pjesa financiare dhe sipas përshtypjeve të mia, ky subvencion është për t’u përgëzuar, megjithatë universitet kanë nevojë edhe për kantina bufe edhe më të sofistikuara.”,- theksoi një student.
 
MASh: Punojmë në përmirësimin e standardit studentor
 
MASh në kontinuitet punon për përmirësimin e standardit studentor, thotë ministri Ademi.
 
“Me masa të posaçme po subvencionojmë studentët, po mbështesim lidhur me shujtën e studentëve, kështu që detajet besoj se i keni përcjellë edhe nga kuvendi i RMV-së, parashihen masa atraktive dhe besoj se shkojnë në favor të studentëve tanë dhe përmirësimit të standardit studentor.”,- deklaroi Arbër Ademi nga MASh.
 
Në subvencionimin e shujtës studentore nuk do të bëjnë pjesë pijet e gazuara dhe ushqimi i shpejtë dhe i konzervuar. Shembulli i subvencionimit të ushqimit studentorë është marrë nga Sllovenia, ku realizohet prej dhjetë vitesh. 
 
FLUTURA LATIFI