Maqedoni

“Mepso” nënshkroi marrëveshje me “Energoinvest dhe “Konçar”

07.02.2020 16:09

Kompania vendore energjetike “MEPSO” nënshkroi marrëveshje për realizimin....

Kompania vendore energjetike “MEPSO” nënshkroi marrëveshje për realizimin e dy projekteve kapitale në rrjetin energjetik me vlerë prej 35 milion eurove me kompanitë “Energoinvest” nga Bosnja dhe Hercegovina dhe “Konçar” nga Kroacia. Bëhet fjalë për linjën e re të transmetuesit të energjisë elektrike me fuqi prej 400 kilovolt, e cila lidhet me Shqipërinë si dhe stacionin e ri në afërsi të Ohrit, ndërsa po punohet edhe në zgjerimin e stacionit Manastir 2. Ky akt ka rëndësi të veçantë në zhvillimin e raporteve ndërfqinjësore mes shteteve të Ballkanit perëndimor, u theksua me këtë rast.
 
“Ndërlidhja rajonale e sistemeve të transmetimit të energjisë është interes strategjik afatgjatë për secilin vend. Marrëdhëniet me fqinjët nënkuptojnë stabilitet elektroenergjetik, bazë e çdo ekonomie të zhvilluar.”,- tha drejtoresha gjenerale e “MEPSO”, Eva Shukleva.
 
“Ky projekt është një privilegj i mirë pasi që këta përçues do të lidhin dy vende fqinje, RMV-në dhe Shqipërinë. Dhe natyrisht se ne do të jemi shumë të lumtur të kontribuojmë në këtë lidhje.”,- tha Bisera Haxhialjeviq nga “Energoinvest”.
 
““Konçar” është shumë krenar që jemi këtu, të nënshkruajmë kontratë, të kemi mundësinë të punojmë në një projekt shumë të rëndësishëm për Maqedoninë dhe rajonin dhe ju siguroj që “Konçar” do të bëjë gjithçka për të nxjerrë një prodhim të mirë.”,- theksoi Gordan Kollak nga “Konçar”.
 
Projekti në fjalë do të sigurojë lidhjen e cila mungonte në sferën energjetike në korridorin mes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, dhe do të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin e tregut rajonal, ndërsa realizohet me mbështetje financiare të Bankës Europiane për Zhvillim dhe Ripërtëritje si dhe Fondit për Investime në Ballkanin Perëndimor. 
 
LEUNORA KALIQI