Maqedoni
Greva e drejtuesve të hekurudhave, Sugarevski: Dëmi nga greva, 9 milion denarë
07.02.2020 16:30
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, thotë se dëmi nga bllokada e hekurudhës si pasojë e grevës...

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, thotë se dëmi nga bllokada e hekurudhës si pasojë e grevës së drejtuesve të trenave për të katërtën ditë me radhë deri më tani është nëntë milionë denarë. Sipas ministrit, shtetet tjera në mënyrë serioze janë duke menduar për ta riorientuar komunikacionin hekurudhorë përmes Bullgarisë, me çka do të ketë dëme dhe pasoja akoma më të mëdha. Ministri Sugarevski tha se gjithmonë është i hapur për takime si dhe u bëri thirrje makinistëve, të mos sillen në mënyrë joracionale por të vazhdojnë punën.
“Gjithmonë jam i hapur për takim, por kjo të jetë në nivel të matur, puna duhet të vijojë, mund të negociojmë edhe për marrëveshje kolektive edhe për sistematizime edhe për ndërrimin e ligjeve, por jo me shantazhe. Nuk është ky treg në të cilin mund të bëjmë pazare për këtë apo atë koeficient.”,- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski.
Sipas ministrit pagat paguhen rregullisht, ndërsa janë paguar edhe gjysma e ngelur nga koha e VMRO-DPMNE-së, janë rritur koeficientet si dhe janë hequr masat antikrizë. Sugareski përsëriti se greva është joligjore dhe theksoi se drejtorët në hekurudhë mund të ngrenë procedura dhe se shteti, qytetarët dhe të punësuarit e tjerë në Hekurudhë nuk mund të jenë peng i drejtuesve të trenave. Por këta të fundit nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre për tu paguar kompensim për kualitet prej 40%. Përfaqësuesi i tyre, Dushko Çakarovski, ka deklaruar se vazhdon bllokada edhe pas apelit të ministrit.
BESIM ABDULLAI
