Maqedoni
Spasovski: Të arrihet konsensus për Ligjin e Prokurorisë. VMRO-DPMNE: Dëshirojmë ligj në interes të drejtësisë
07.02.2020 18:00
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, mbetet optimist se do të mbizotërojë vetëdija tek subjektet politike...

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, mbetet optimist se do të mbizotërojë vetëdija tek subjektet politike, e sidomos tek deputetët e kësaj përbërje qeveritare, për të marrë vendime të mëdha për vendin.
Spasovski e vlerësoi këtë kohë si shumë të rëndësishme për vendin, prandaj, siç tha ai, ka hapësirë që të gjendet një zgjidhje dhe të miratohet Ligji për Prokurorinë Publike. Ligjet të cilat janë me rëndësi për rrugën euroatlantike të vendit nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime politike, tha Spasovski.
“Në rast se kjo përbërje parlamentare mundej të bënte disa hapa të rëndësishëm dhe të guximshëm të cilët nënkuptonin garanci për përmbushjen e përcaktimeve kombëtare, atëherë nuk shoh arsye që të mos ngrihet në krye të detyrës dhe të votojë Ligjin për Prokurorinë Publike, dhe me këtë të japim dhe një argument të fuqishëm para Këshillit Evropian se pse duhet të fillojmë negociatat për anëtarësim. Është shumë e rëndësishme që të dëshmojmë konsensus nacional, gjë që nënkupton minimum përgjegjësi ndaj qytetarëve, sepse gjendemi në një fazë të realizimit të qëllimeve tona kombëtare, anëtarësimit në NATO dhe marrjes së datës për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”,- tha kryeministri teknik i RMV-së, Oliver Spasovski.
Por, nga VMRO-DPMNE thonë se nuk po përpiqen të fitojnë pikë politike, por të miratohet një ligj në shërbim të drejtësisë dhe qytetarëve, e jo në shërbim të partive politike.
“Ne nuk jemi këtu për të bërë luftë për të përfituar ndonjë pikë politike, ne këtu po insistojmë që tek ne të mbizotërojë drejtësia dhe ndërtimi i një shteti ku do të mbizotëronte shteti i së drejtës dhe për këtë kemi potencuar disa herë se nuk do të bëjmë kompromis. Ne e dimë se duhet të ketë drejtësi për të gjithë, por jo drejtësi që për dikë do të jetë funksionale, e për dikë jo.”,- theksoi sekretari i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, thekson se kjo përbërje parlamentare mund të miratojë ligje më së voni një orë para mesnatës së 12 prillit. Por, Xhaferi thotë se Ligjin e Prokurorisë nuk do ta vendos në rend të ditës, nëse nuk arrihet pajtueshmëri mes subjekteve politike.
“Ka mundësi procedurale që ai propozim ligj të shndërrohet në ligj, por në fund të mandatit para shpërbërjes së Kuvendit, dhe vetëm të hapet si çështje pa konsensus të partive dhe pastaj ajo situatë të na shndërrohet në shfaqe teatrale, atë nuk do ta lejojë.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Kryeministri teknik Spasovski nuk e ka përjashtuar mundësinë që Qeveria një ligj të tillë ta dërgojë deri në shpërbërjen e Kuvendit.
FITIM KRYEZIU
