Maqedoni

Komisioni për Ndjekjen e Komunikimeve: ATO, gjatë 2019-s ka ndjekur 522 komunikime. Angellovski: ATO nuk është e ndikuar nga politika. Dimitriev: Nuk kemi mbikëqyrje cilësore

07.02.2020 18:14

Agjencia Tekniko Operative vitin e kaluar ka mbikëqyrur 522 komunikime të qytetarëve...

Sipas raportit që Komisioni Parlamentar për Ndjekjen e Komunikimeve e shqyrtoi me dyer të mbyllura, 269 komunikime janë ndjekur për nevojat e Byrosë për Siguri Publike, ndërkaq 8 me kërkesë të Drejtorisë së Policisë Financiare në Ministrinë e Financave.
 
Për komunikimet e tjera nuk është dhënë arsyeja e ndjekjes. Drejtori i Agjencisë, Zoran Angellovski, është shprehur i kënaqur nga puna e Agjencisë pasi nuk ekzistojnë kurrfarë ndikimesh nga pushteti apo opozita.
 
Por kryetari i Komisionit për Ndjekjen e Komunikimeve, Emil Dimitriev, është shprehur se Maqedonia nuk ka mbikëqyrje cilësore. Dimitriev ka fajësuar LSDM se pamundëson ndryshimet e ligjit për ndjekjen e komunikimeve të cilat vetëm se kanë kaluar leximin e parë.
 
“Një pjesë e problemeve janë të pazgjidhura sikurse kushtet hapësinore dhe pagesa e qirave të majme. Nuk janë definuar marrëdhëniet midis shërbimeve të cilat krijojnë probleme në sistem. Kuvendi nuk pranoi që të shqyrtohen ndryshimet për ATO-n, me çka ajo do të mund të testonte pajisjet e saj duke pasur qasje deri tek të gjitha palët nënshkruese të aktit nënligjor, diçka që paraqet rrezik të presë konstituimin e përbërjes së re parlamentare”,- thuhet në komunikatën për media.
 
Agjencia Tekniko Operative u formua pjesën e dytë të 2018-ës me rekomandim të ekipit të ekspertëve të kryesuar nga Rajnhard Pribe pas shpërthimit të aferës për përgjime të jashtëligjshme.
 
Këtë vit planifikohet zgjerimi i hapësirave të Agjencisë si dhe punësime të reja pas shpenzimit të 1.3 milion euro nga gjithsej 1.7 milion euro të planifikuara me buxhetin e 2019-s.
 
MERAL ISMAILI