Maqedoni

Inspektorati Shtetëror: Nuk ka parregullsi në punën e “Eko Club”. Janakieski: Nuk kemi hedhur mbeturina të patrajtuara

07.02.2020 18:30

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit nuk gjeti asgjë të diskutueshme lidhur me funksionimin e Kopanisë “Eco Club”...

Gjatë inspektimit të para treditësh, Inspektorati ka konstatuar se njëra pajisje për dezinfektimin e mbeturinave mjekësore ishte prishur, ndërsa ka qenë në funksion pajisja e dytë. 
 
“Në kohën e mbikëqyrjes u gjet një kontejner me mbeturina mjekësore të patrajtuara i gatshëm për t’u dorëzuar në “Drislla” për djegie. Në mëngjes ishin dorëzuar dy dërgesa të mbetjeve mjekësore për djegie me sasi prej 980 kg dhe 520 kg, të cilëve u janë bashkëngjitur formularë të duhur për transport dhe identifikim.”-thonë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor. 
 
Sipas këtij Inspektorati, kompania kishte importuar edhe dy sterilizues të tjerë – njërin për pjesë rezervë dhe tjetri ka qenë i ri dhe akoma i paketuar.
 
Ndërsa pronari i “Eko Club”, Sasho Janakieski, për portalin SDK. MK ka deklaruar se ndërmarrja e tij në “Drislla” asnjëherë nuk ka transportuar mbeturina mjekësore të pasterilizuara, duke mohuar kështu pretendimet e kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov, dhe Inspektoratit të qytetit. 
 
“Ka institucione që do të vendosin për besueshmërinë e videos në procedurat e mëtejshme. Nga kompania jonë asnjëherë nuk janë dërguar në “Drislla” mbeturina të patrajtuara.” -thotë Sasho Janakievski - pronar i “Eco Club”. 
 
Por, kreu i Shkupit, Petre Shilegov, të enjten foli me tone kritike për punën e Inspektoratit Shtetëror dhe Prokurorisë, të cilët siç tha e kanë zvarritur për 50 ditë hetimet për rastin me mbetjet medicinale.
 
Nga ana tjetër, kryeministri, Oliver Spasovski, bëri thirrje që çështja e mbeturinave mjekësore të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur.   
                                                                                  
“Të gjitha institucionet e sistemit duhet të jenë në mbështetje të Prokurorisë Publike, t’i vërtetojnë të gjitha faktet dhe të gjitha provat dhe në fund të dalin para publikut për të treguar se çfarë është ajo që është bërë në të kaluarën, kush është më përgjegjës dhe si do ta paguajë atë që ka punuar në mënyrë të paligjshme.”,- tha kryeministri, Oliver Spasovski. 
 
Ndërkohë, Hungaria e ka shkarkuar konsullin e saj të nderit në Manastir, Sasho Janakieski, që është edhe një nga pronarët e Kompanisë “Eco Club”. 
 
Shkrimin e Janakieskit nga Ministria e Jashtme Hungareze e konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
 
SEDAT SELIMI