Maqedoni

Ali Ahmeti, uron kreun e ri të NATO-s, Jens Stoltenberg

03.10.2014 15:22

Lideri I BDI-së Ali Ahmeti ka uruar përmes një telegrami, sekretarin e ri të përgjithshëm të NATO-s , Jens Stoltenberg...

“Roli i NATOsë për Maqedoninë dhe për rajonin është i jashtëzakonshëm dhe ne jemi mirënjohës për këtë kontribut që solli paqen nëpërmjet të Marrëveshjes së Ohrit bashkë me të gjitha të arriturat e vendit gjer më sot. Por, detyra jonë e përbashkët përfundon si e kompletuar vetëm atëherë kur Maqedonia do të rradhitet e barabartë krah për krah me aleatët në Bruksel. Ritheksoj, për të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, NATO nuk ka alternativë, sepse ky proces integrues siguron paqë të qëndrueshme, siguri dhe stabilitet, mirëqenie dhe zhvillimin ekonomik” thuhet në telegramin e liderit të BDI-së.
 
Më tej Ahmeti shton se “Anëtarësimi i Maqedonisë dhe i rajonit në NATO nuk mund të jetë provokim ndaj askujt, por vetëm realizim i synimeve të qytetarëve të vendeve tona dhe ky proces është rrugë njëdrejtimëshe nga e cila nuk ka kthim. Maqedonia nuk ka të ardhme tjetër përveç se në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Ky është premtimi i të gjitha partive politike në vend para elektoratit dhe gjersa kjo nuk realizohet, nuk mund të themi se i kemi plotësuar zotimet tona, por njëkohësisht as komuniteti ndërkombëtar nuk e ka përfunduar detyrën e vet në rajonin e brishtë të Ballkanit perendimor.
 
Më lejoni gjithashtu të falëmnderoj edhe paraardhësin tuaj, Z. Anders Fogh Rasmussen për punën e shkëlqyer në drejtimin e NATO-s.
 
Duke ju shprehur mirënjohjen time të thellë, ju siguroj që unë jam partner i juaji në plotësimin e këtij qëllimi, por gjithashtu ju ftoj ju, bashkë me miqtë tjerë ndërkombëtar, që të përfshiheni drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive në lehtësimin e procesit të zgjidhjes së çështjes së emrit midis Shkupit dhe Athinës sa më pare” përfundon telegram i liderit të BDI-së Ali Ahmeti, drejtuar sekretarit të ri të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.